E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Berisha të rishikojë marrëdhëniet me aleatët

Reagon kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, në lidhje me bashkëpunimin PD-PS për reformën zgjedhore. Për herë të parë, pas dorëheqjes nga kabineti qeveritar, Mediu i konsideron një pazar të pastër manovrat e dy forcave të mëdha politike, që kanë për qëllim përjashtimin e partive të vogla. "PD-ja është në një koalicion qeverisës dhe duhet t‘i shtrojë pyetjen vetes, nëse ia vlen kjo qeveri apo jo. Nëse nuk ia vlen kjo qeveri, atëherë mund të vazhdojë bashkëpunimin, pa pyetur marrëdhëniet brenda qeverisjes me Partinë Socialiste", tha Mediu. Kërcënimi i republikanëve ishte i drejtpërdrejtë në lidhje me bashkëpunimin e dy forcave më të mëdha politike. Kreu i republikanëve tregohet eksplicit në lidhje me marrëdhëniet që ka Partia Demokratike me aleatët. Mediu kërkon nga Berisha që t‘i kushtojë më shumë vëmendje bashkëpunëtorëve me të cilët qeveris, sesa partisë më të madhe opozitare.

Po kështu, numri një i PR-së, u ka përcjellë mesazh edhe një grupi deputetësh demokratë, duke u thënë se "uroj dhe shpresoj që të ketë kthjelltësi nga njerëzit brenda PD-së dhe ata që janë marrë me këtë çështje për të shpjeguar sesi funksionon ky sistem. Nga ana tjetër, nëse mendohet që nëpërmjet manovrash apo aleancash të mund të kënaqen individë të caktuar, atëherë unë nuk mendoj se është një sistem i pastër, por është një pazar i pastër".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›