Berisha, thirrje Ramës: Hiq dorë nga mitingjet antiviza
Në emër të interesave kombëtarë Kryeministri Sali Berisha i bëri dje thirrje opozitës së kryesuar nga Edi Rama që të heqë dorë nga mitingjet kundër heqjes së vizave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas tij, këto janë momente që duhet të bashkojnë çdo shqiptar, pasi vizat dhe integrimi janë çështje kombëtare mbipartiake dhe shumë herë më të mëdha sesa interesat vetjake apo të një grupi liderësh. Gjatë përurimit të ujësjellësit në fshatin Gjokaj, Bashkia e Vorës, Berisha vuri në dukje se nëpërmjet protestave kreu i socialistëve, Edi Rama, kërkon t’i dëshmojë Evropës së Shqipëria nuk e meriton integrimin apo liberalizimin e vizave. Për këtë Berisha iu drejtua Ramës: “Përpjekja për t’i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit është jashtëzakonisht e pandershme. Përgjigjen nuk ta dha Sali Berisha, por e more nga qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor. Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian”. Z. Berisha kërkoi që në këtë moment, kur diskutohet liberalizimi i vizave për Shqipërinë, të lihen mënjanë konfliktet partiake. Kryeministri e cilësoi tubimin normal, por të pandershëm. Ai shprehu shqetësimin se për fat të keq, një grup në krye të PS-së, i drejtuar nga Edi Rama, ka zgjedhur rrugën e protestës. “Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t'i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t'i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat; sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament është jashtëzakonisht e pandershme”, - theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha, duke ftuar socialistët të bashkëpunojnë në Parlament, nënkuptoi qartë se protestat e kreut të PS-së nuk do të ndryshojnë axhendën e qeverisë. “Mendoj se këto janë momente që duhet të bashkojnë çdo shqiptar. Vizat dhe integrimi janë çështje kombëtare mbipartiake dhe shumë herë më të mëdha sesa interesat vetjake apo të një grupi liderësh. Megjithatë, unë ju ftoj që të vazhdojmë së bashku projektin e Shqipërisë evropiane”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha nisi dje një tur të ri përurimesh, por këtë herë më shumë sesa për të promovuar punën e qeverisë, po argumenton se protestat e PS-së dhe qëndrimi i saj jashtë Parlamentit shkojnë kundër interesave kombëtare. Sipas Kryeministrit Berisha, përveç reformave të qeverisë, zgjedhjet e 28 qershorit ishin arsyeja vendimtare e reagimit pozitiv të Brukselit ndaj Shqipërisë. “Këto zgjedhje, - argumentoi Berisha, - bënë që pa asnjë hezitim të firmoset kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian”. “Këto zgjedhje, - shtoi ai, - bënë që të bihet dakord që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen, të vendoset për heqjen e vizave. Berisha vuri në dukje se jeta e qytetarëve shqiptarë bëhet evropiane, jo vetëm kur përmirësohen kushtet në vend, por edhe kur shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të këtij kontinenti”. Kreu i qeverisë pohoi gjithashtu se me heqjen e vizave secili qytetar shqiptar fiton një status të ri dinjitoz, një status të vërtetë evropian. Ndaj, në këtë kuadër, Berisha nënvizoi se ky synim duhet të jetë mbi interesat personale të liderëve të një vendi.