E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, sot fillon protesta treditore

Protesta do të nisë sot, në orën 16:00 me një grumbullim në sheshin "Skënderbej" e më pas në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"


TIRANË- Opozita do të zbresë sot në shesh për të kërkuar më me forcë se asnjëherë më parë transparencën e votës së lirë. Në një protestë maratonë që është parashikuar të zgjasë plot tre ditë e net, partitë opozitare jo vetëm të spektrit të majtë, por edhe atij të djathtë do t'i bëjnë thirrje qeverisë që të hapë kutitë e votimit për të verifikuar edhe një herë votat që shqiptarët hodhën në 28 qershor.


Më pas, në rast mosreagimi nga ana e kësaj të fundit mësohet se këto forca nuk do të kërkojnë më hapjen e kutive, por do të kalojnë në një stad më të avancuar të qëndrimit të tyre për të kërkuar largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.


Protesta


Për shkak se tubimi që do të nisë sot do të zgjasë plot tre ditë, organizatorët e tij kanë marrë dhe një sërë masash, për ta mbajtur atë jo vetëm të gjallë, por edhe për të përcjellë në vijimësi në dritaren e zyrës së kryeministrit Berisha të gjitha kërkesat që do të hidhen jo vetëm nga politikanët, por edhe nga qytetarët e thjeshtë, të cilët të gjithë do të kenë mundësi që në këto ditë të bëjnë prezente shqetësimet e tyre dhe të denoncojnë mënyrën e qeverisjes.


Protesta do të nisë sot, në orën 16:00 me një grumbullim në sheshin "Skënderbej" e më pas turma e njerëzve do të zhvendoset gradualisht në bulevardin "Dëshmoret e Kombit" për të arritur në stacionin e fundit, që do të jetë padyshim sheshi përballë selisë së kryeministrisë.


Aty do të ngrihet një podium që do të shërbejë jo vetëm për ditën e hapjes së kësaj proteste, por do të jetë tribuna, ku qytetarët e ndryshëm do mund të flasin në çdo kohë për të bërë publike shqetësimet e tyre.


Për këtë qëllim,
një mikrofon do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë kohës. Ndërkohë që gjatë zhvillimit të momentit të parë të protestës, që do të kulmojë natyrisht me fjalimet e drejtuesve opozitar, në disa ekrane të mëdhenj herë pas here do të shfaqen pamje nga ngjarjet më të rënda që kanë shoqëruar qeverisjen e djathtë duke filluar që nga tragjedia e "Gërdecit" dhe për të përfunduar me vjedhjen e votës në 28 qershor.


Me përfundimin e manifestimit të madh që do të shënojë dhe çeljen e kësaj proteste, një pjesë e të pranishmëve janë organizuar që të qëndrojnë gjatë gjithë natës në sheshin përpara kryeministrisë, të shoqëruar nga gjysma e deputetëve socialistë. Për ta, do të ngrihen edhe disa çadra ku do të sistemohen qoftë për tu qetësuar por edhe për tu mbrojtur nga faktorët klimaterik, si i ftohti, era, shiu etj.


Është parashikuar që protestuesit që do të qëndrojnë natën e parë të zëvendësohen gjatë natës së dytë me një kontingjent të dytë, të cilët po ashtu të shoqëruar nga gjysma tjetër e deputetëve socialistë, do të qëndrojnë në shesh gjatë gjithë natës.


Leja


Drejtuesit e Partisë Socialiste si forca që ka organizuar këtë miting kanë mundur të marrin pëlqimin e Policisë së Shtetit qoftë për itinerarin ku do të zhvillohet protesta ashtu edhe për kohëzgjatjen e saj.


Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se policia me anë të një shkrese zyrtare është njoftuar disa ditë më parë si për vendin ashtu edhe për kohën 3 ditore që do të zhvillohet.


Një fakt i tillë është konfirmuar dje për "Shekulli"-n edhe nga vet Policia e Shtetit. Në këtë mënyrë forcat blu do tu duhet që të angazhohen për tre ditë me radhë pa ndërprerje për sigurimin e rendit në protestë.


Nga ana tjetër tubimi i opozitës pritet të shkaktojë vështirësi për qytetarët që duan të lëvizin me makina në kryeqytet gjatë këtyre tre ditëve. Kjo për shkak se segmenti në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga ura e "Lanës" deri te kryqëzimi që krijohet me rrugën "Ismail Qemali" do të qëndrojë e bllokuar.

*****************************

Rama tha se protesta nuk do të jetë hapi i fundit, pasi në rast mosreagimi, atëherë pritet të kalohet në një fazë tjetër

Rama: Hapja e kutive nuk ka lidhje me Gjykatën

TIRANË- Pushteti i vjedhur nëpërmjet manipulimit të votës, duhet të jetë arsyeja kryesore, por jo e vetme, për të cilën shqiptarët duhet të protestojnë së bashku me opozitën në shesh gjatë këtyre tre ditëve. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, nëpërmjet një konference shtypi dje në orët e vona në kundërpërgjigje të deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, ka ripërsëritur edhe një herë se asgjë nuk mund ta pengojë opozitën të kërkojë bërjen e transparencës së zgjedhjeve.


Sipas tij, kërkesa e opozitës për të hapur kutitë nuk është sfidë e vendimeve të gjykatave, por një e drejtë që asaj i lind nga nevoja për të parë votën e shqiptarëve.


"Kërkesa për hapjen e kutive nuk ka asnjë lidhje me gjykatën. Të të vijë turp që thua se gjykata nuk të lejon të hapësh kutitë", - u shpreh kreu socialistë Edi Rama dje pas deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili theksoi gjatë fjalës së tij në kuvend se nuk mund të dalë mbi vendimin e gjykatës, për sa i përket hapjes së kutive të votimit.


Gjithashtu, ai ka shfrytëzuar rastin, duke akuzuar qeverinë dhe në mënyrë të veçantë ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, se nëpërmjet deklaratave për mundësinë e përhapjes së gripit të derrit në ambientet ku ka grumbullime masive të njerëzve, po përpiqen që të frenojnë qytetarët për t'iu bashkuar protestës së opozitës.


"Sot kjo qeveri që mund të quhet pushtet derrash të kënaqur, arriti të përdorë ministrin e Shëndetësisë, dhe e nxjerr nëpër televizione ku të bënte lidhjen idioteske mes protestës së opozitës dhe rrezikut të përhapjes së gripit të derrave", - u shpreh Rama. Megjithatë ai ka siguruar se këto përpjekje të qeverisë janë të dështuara dhe se nuk do të pengojnë aspak qytetarët që të mbështesin opozitën në kërkesën e saj për hapjen e kutive gjatë tre ditëve protestë.


Ai ka siguruar edhe një herë se protesta do të jetë paqësore dhe se në të do të kërkohet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, sipas tij, ky nuk do të jetë hapi i fundit i opozitës, pasi në rast se mazhoranca nuk do të reagojë lidhur me këtë kërkesë atëherë pritet të kalohet në një fazë tjetër, veprimet e së cilës do të përcaktohen në një vendim të forumeve të partisë.


"Të mos djegim etapat. Nesër (sot) fillon manifestimi i madh popullor, pastaj një pjesë do të qëndrojë aty për një periudhë kohe të paracaktuar dhe në fund pastaj do të ketë një tjetër vendim në funksion të një rezultati që do ta kemi pas protestës", - tha Rama, i cili edhe dje ka shpërndarë ftesa për pjesëmarrje në protestë në lagjen "Kombinat" në kryeqytet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›