SHBA: Progres i mrekullueshëm i Shqipërisë, arritje e Berishës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë zhvillimet në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës në SHBA kreu disa takime me kongresmenë dhe senatorë, ku iu konfirmua mbështetja e SHBA-ve për reformat në vend dhe për rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në takimin me kongresmenin demokrat, Jim Moran, i cili është i zgjedhur në dhjetë mandate në Kongres, u vlerësua se Shqipëria ka bërë një progres të gjerë, që sipas kongresmenit, meritë ka lidershipi i PD-së në Shqipëri. “Progresi i mrekullueshëm që kanë arritur shqiptarët, është një atribut i popullit shqiptar në procesin e tij integrues, është një arritje e madhe e Kryeministrit Berisha. Shqipëria mund të bëhet një model për pjesën tjetër të botës, duke pasur parasysh aftësitë ripërtëritëse të popullit dhe vizionin e lidershipit të tij. E rëndësishme është që Partia Demokratike në Shqipëri u zgjodh për një mandat tjetër dhe se platforma e saj përfshin luftën e vendosur kundër korrupsionit, shtimin e numrit të kompanive private, një ekonomi të fortë dhe investime në infrastrukturë”, - tha kongresmeni demokrat, Jim Moran. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë luftën e qeverisë ndaj korrupsionit, duke thënë se rezultatet e kësaj lufte ishin përcaktuese në votën e shqiptarëve në zgjedhje. Kryetarja e Kuvendit tha në këtë takim se shqiptarët janë një ndër popujt më proamerikanë dhe për Shqipërinë mbështetja dhe aleanca e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e rëndësishme për anëtarësimin në NATO e, po ashtu, edhe për pavarësinë e Kosovës. Kongesmeni Elliot Engel, i cili vlerësoi reformat e bëra nga qeveria e Shqipërisë, duke i cilësuar si reforma që janë përkthyer në progres. Ai shprehu kënaqësinë se Shqipëria tashmë është aleate në Aleancën e kombeve të Atlantikut të Veriut, ndërsa përgëzoi për progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim edhe me senatorin republikan, John McCain, ish-kandidatin për President të SHBA-ve. Senatori McCain në mënyrë të veçantë falënderoi për kontributin e Shqipërisë me trupat paqeruajtëse në Afganistan. "Jam shumë i kënaqur, - tha ai, - që Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s, po përparon edhe në rrugën drejt BE-së. Ju duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja”. Në këto takime u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.