E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Komisioni i Ligjeve duhet të kalojë drafte pa kontestime

Meta kërkon që draftet për goditjen e krimit të kenë konsensusin e misioneve të huaja


TIRANË- Raportet e ndërkombëtarëve në lidhje me situatën në Shqipëri janë kthyer tashmë në një makth të vërtetë për Ministrin e Punëve të Jashtme, kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.


Për të evituar përballjen me raporte negative në të ardhmen gjatë takimeve që ai pritet të zhvillojë me personalitete të huaja në pozicionin e kreut të diplomacisë shqiptare, ai ka kërkuar ndihmën e Komisionit parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë që të ndikojë sa të mundet te Komisioni i Ligjeve në mënyrë që ky i fundit të plotësojë çdo sugjerim apo kërkesë të misioneve të huaja që asistojnë vendin tonë në hartimin e legjislacionit në fushën e rendit dhe atë të drejtësisë.


Duke prezantuar në Komisionin e Jashtëm hapat që duhet të ndjekë vendi ynë për të bërë të mundur liberalizimin e vizave gjatë vitit të ardhshëm, kreu i Ministrisë së Jashtme, që mban edhe postin edhe të zëvendëskryeministrit, Ilir Meta, ka ngritur shqetësimin e tij lidhur pikërisht me çështjen e legjislacionit, që ka të bëjë me goditjen e krimit dhe korrupsionit, i cili, sipas tij, duhet të hartohet sipas sugjerimeve të ndërkombëtarëve. Vetëm kështu, ka evidentuar ai, misionet e huaja që ndihmojnë vendin tonë në këtë fushë nuk do çojnë raporte negative te zyrat e tyre qendrore në BE.


"Ka një problem që lidhet me projektligjet për goditjen e krimit që janë në Kuvend për miratim. Është e mira që t'i bëni të ditur Komisionit të Ligjeve që ata para se t'i bien për miratim në seancë t'i kenë të kopsitura edhe për gjërat më të vogla, duke mos lënë asnjë pakënaqësi te misionet e huaja siç është EURALIUS apo te misionet e tjera.


Në rast se ata kanë shqetësime për çfarëdo çështje ata duhet t'ia marrin parasysh për të mos i lënë qejfmbetur se pastaj shkojnë e çojnë raporte negative për ne. Kështu do të shmangnim dhe raportet negative për Shqipërinë", - tha Meta. Por, sipas kreut të komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, Komisioni i Ligjeve nuk ka nxjerre asnjëherë probleme për sa i përket marrëdhënieve me këto misione.


Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme dëgjimore, Meta, pasi ka siguruar se liberalizimi i vizave për vendin tonë do të bëhet brenda vitit të ardhshëm, ka folur edhe për rolin që duhet të luajë opozita në proceset integruese. Sipas tij, është e pajustifikueshme që në këto momente opozita qëndron jashtë institucioneve për të bërë protesta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›