E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Mitingu i PS-së, rrezik për gripin e derrit, PS porosit 1 mijë maska



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, shprehu dje shqetësimin se grumbullimet e mëdha, sikurse pritet të jetë ditën e sotme protesta e Partisë Socialiste për kutitë e votimit, përbën rrezik të madh për përhapjen e virusit A/H1N1 dhe kthimin e tij në një epidemi serioze. Me rastin e gripit pandemik dhe situatës që po kalon vendi ynë, ministri Vasili e konsideroi protestën e PS-së me potenciale të mëdha për mundësinë e prekjes me virus të një numri më të madh njerëzish. Por dhe PS duket se është shqetësuar për këtë gjë pasi ka porositur 1 mijë maska kundër gripit për mitingun e sotëm dhe pse publikisht e dënoi deklaratën e ministrit. Burime pranë selisë bëjnë të ditur se janë porositur maskat sidomos për grupin e militantëve që do të qëndrojnë 3 ditë e net para kryeministrisë.

Grumbullimet

Deklaratat e ministrit të Shëndetësisë kanë ardhur dje pas shtimit të rasteve me virusin pandemik A/H1N1 dhe atë sezonal, çka rrezikojnë të çojnë vendin tonë në prag të epidemisë. Gjatë një konference për shtyp, Vasili ka bërë një pasqyrë të situatës epidemiologjike në vend. Krahas saj, ai u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë kontakte të vazhdueshme me mjekët.

“Ndryshimi i temperaturave, i shoqëruar me uljen e tyre, ka sjellë një situatë të re epidemike, e cila është karakterizuar me shtimin e rasteve me virusin pandemik A/H1N1, por veçanërisht edhe me atë stinor”, - tha ministri.

Ndërsa pohoi se në kuadër të kujdesit që duhet treguar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të të dy viruseve konsideroi një rrezik të madh grumbullimet masive, duke bërë me dije se ato do të ndikonin në përhapjen e virusit dhe kthimin e tij në një epidemi serioze. Vasili theksoi se grumbullimet e mëdha janë një rrezik më shumë në situatën aktuale.

Situata

Sipas tij, strukturat shëndetësore shqiptare janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë me kujdes të veçantë situatën aktuale, ndërsa këshillon të gjithë qytetarët të mos hezitojnë për asnjë çast të komunikojnë me mjekun e familjes.

Ndërsa kujtoi ata që në të njëjtën kohë të respektojnë të gjitha masat parandaluese të këshilluara nga Instituti i Shëndetit Publik. Për sa i përket gripit stinor, ministri bëri me dije se rastet e pacientëve me këtë virus kanë paraqitur komplikacione dhe ndryshe nga të tjera vite, ai ka qenë më i ashpër dhe i shoqëruar me temperatura të larta.

Gjithashtu, ai theksoi se situata aktuale nuk imponon mbyllje të shkollave. Sipas të dhënave të fundit nga ky dikaster, numri i rasteve të prekura deri tani me gripin e rrezikshëm A/H1N1 rezulton 144. Rastet më të shumta vihen re në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›