E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e Zvicrës: Shqetësim për dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private

TIRANË, 19 tetor /ATSH / Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka shprehur shqetësim për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë demonstratave në vend, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada e Zvicrës thekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim paqësor, si një element thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe ngre shqetësimin për shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri.

“️Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Gjithashtu, ambasada u kërkon autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor dhe lirinë e medias.

“U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Ambasada e Zvicrës në Shqipëri.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›