DASH: Qeveria shqiptare, e paaftë të luftojë terrorizmin
Eljona Ballhysa
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin vjetor për luftën kundër terrorizmit në botë. Në këtë raport, ku përfshihet dhe veprimtaria e qeverisë shqiptare, vërehet se gjatë vitit 2009 në Shqipëri nuk pati asnjë ngritje asetesh kriminale dhe kjo ndodhi për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe aftësisë për të ndjekur dhe menaxhuar raste të tilla. Më tej në raport bëhet e ditur se Shqipëria vazhdon të përballet me sfida të tilla si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mbrojtja e kufijve. Përsa i përket aspektit pozitiv, në raport vlerësohet ndihma që Shqipëria ka dhënë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, duke rritur numrin e ushtarëve.
Kritikat
“Deri në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Financave njoftoi se mbante të ngrira asetet e 6 individëve dhe 14 fondacioneve e kompanive që janë në listën e Rezolutës 1267 të Këshillit të Sigurimit. Gjatë vitit 2009 nuk pati ngrirje asetesh të tjera në bazë të ligjit shqiptar ‘Për bllokimin e aseteve’, që lidhen me financimin e terrorizmit. Megjithatë, efektiviteti i qeverisë shqiptare në këtë aspekt u minua nga mungesa e një infrastrukture për përpunimin e të dhënave dhe nga aftësia e pamjaftueshme për t’i ndjekur dhe menaxhuar si duhet raste të tilla”, - shkruhet në raportin për vitin 2009 të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në raport vlerësohet përparimi i bërë nga Shqipëria në identifikimin e pikave të dobëta në kufijtë tokësorë dhe detarë, por, sipas raportit, qeveria dhe policia vazhdojnë të përballen me sfida përsa i përket zbatimit të plotë të masave për sigurinë e kufirit, si dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në raport vlerësohet shprehja e vullnetit politik nga ana e qeverisë për shtimin e trupave në Afganistan dhe për të luftuar terrorizmin në krah të SHBA-ve. “Gjatë vitit 2009 Shqipëria premtoi të shtojë kontributin me trupa në Afganistan, ngriu llogaritë bankare të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe punoi në mënyrë aktive me Shtetet e Bashkuara e vende të tjera për të luftuar terrorizmin”, - shkruhet në raport, ndërsa vërehet se ka pasur mungesë të masave konkrete të ndërmarra nga qeveria në drejtim të luftës kundër terrorizmit.
Gjyqet
Në raport gjithashtu janë përfshirë dy raste konkrete të dyshuara për bashkëpunim me terroristët. Më 14 janar 2008, thuhet në raport, filloi gjyqi nën akuza penale kundër Hamzeh Abu Rayyan, administratori i dyshuar për financuesin e terrorizmit, Yassin al-Kadi, i cili akuzohet se kishte fshehur fonde të përdorura për financim terrorizmi. Kjo shënoi gjyqin e parë që zhvillohej në Shqipëri për financim të terrorizmit. Gjyqi vazhdoi gjatë gjithë vitit 2009. Një padi civile e ngritur nga Al-Kadi për të zhbllokuar asetet e tij u hodh poshtë dhe u ngrit disa herë në gjykatë. Tani rasti pret të gjykohet në Gjykatën e Tiranës. Më 12 dhjetor 2009, thuhet në raport, në Durrës u arrestua imami Artan Kristo, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullah, i cili u akuzua për nxitje dhe propagandim në publik të akteve terroriste. Sipas akuzës, ai kishte bërë thirrje për xhihad në forumin AlbSelafi.net në internet. Më parë ai ka qenë marrë si i dyshuar lidhur me vrasjen e sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Salih Tivari, në janar 2003. Gjykata e Durrësit vendosi që Kristo të mbahej i ndaluar në pritje të gjykimit.
7 Gusht 2010