Berisha, top shënuesi i A-League

26 vjeçari shënoi gola në vazhdimësi, duke e përfunduar sezonin me 19 sosh. Këto i mjaftuan që të shpallet golashënuesi më i mirë i ligës, me 6 gola më shumë se Shane Smeltz, i cili e mbylli sezonin me 13 gola.
Përfaqësuesi shqiptar e lëshoi një mundësi të artë, në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Gold Coast. Ai e pati një rast të qindpërqindtë për ta realizuar golin e 20-të të sezonit, ku do ta thyente rekordin e Smeltz, të regjistruar në sezonin 2009-10.
Edhe pse Roar fitoi 2:1, kjo nuk i mjaftoi futbollistit prishtinas me shokë që të shpallen kampionë të Australisë, ngase fitore shënoi edhe kryesuesi Central Coast Mariners FC, i cili e fitoi titullin e kampionit.
Sidoqoftë, Berisha mund të mburret me sezonin e tij, pasi që, përpos suksesit individual, e udhëhoqi ekipin e tij Brisbane Roar, duke e synuar titullin e kampionit deri në xhiron e fundit. Ofertat në drejtim të Berishës nuk mungojnë, por ai ka paralajmëruar se do të mbetet në Brisbane, ku e ka gjetur rehatinë.
Trajneri i Brisbane Roar, Ange Postecoglou, ditë më parë e kishte konsideruar Besart Berishën si futbollistin më të mirë të sezonit, në A-League.