Berisha t’u shtrijë duart prokurorëve
• Spartak BrahoNgjarja e rëndë e Gërdecit, vrasja me dashje e mbi 20 qytetarëve, plagosja e qindra të tjerëve dhe dëmi qindra milionë euro, tentativat për t’iu fshehur krimit, manipuluar apo zhdukja e provave dhe kërcënimet ndaj medias dhe protestuesve në Vorë janë flagrante. Falë medias dhe strukturave të tjera po zbulohen çdo ditë fakte e prova të reja. Tre arrestimet e atyre që vetëm hapin ciklin kriminal të biznesit vrasës, apo i bishtave të kartelit mafioz që përgatiti, realizoi këtë tragjedi kombëtare, nga Prokuroria deri tani janë qesharake.Janë të pamjaftueshme edhe “ftesat” për të thirrur FBI-në në ndihmë të hetimit nga zonja Prokurore e Përgjithshme. FBI-ja, CIA, Pentagoni Qeveria amerikane apo ambasada kanë kohë dhe tashmë janë shprehur se do veprojnë, pasi s’kanë më durim të shikojnë “marifetet”, e kartelit kriminal të tregtisë së armëve me në krye Sali Berishën.Çështja është pse nuk veprojnë me shpejtësi, por edhe me kujdes organet tona të gjurmim-hetimit, kur krimi i rëndë dhe pasojat janë flagrante, kur dihen edhe autorët? Tashmë kemi parë të dorëzuar vetëm ministrin e Mbrojtjes i cili e ka kuptuar situatën në të cilën ndodhet. Ai e kuptoi se edhe Kryeministri e “shiti”, por ndërkohë hierarkët e lartë të ushtrisë janë “zhdukur”! Ushtria, mbrojtja dhe siguria e vendit, armatosja apo çarmatosja, militarizimi apo çmilitarizimi dhe të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë kuadër e në këtë funksion janë monopol i vetëm i shtetit, ku Presidenti si komandant i Përgjithshëm, dhe Kryeministri si i ngarkuar direkt me drejtimin e tyre, së bashku me ministrin e Mbrojtjes (citoj nenin 169/1 të Kushtetutës)- kanë për detyrë të monitorojnë çdo gjë në fushën e Mbrojtjes. Shitblerja, tregtimi, marrëveshjet, transaksionet, lëvizjet, vendosja, zhvendosja, ruajtja, përqendrimi apo mënyra e përdorimit të armëve dhe municioneve pra krejt inventari i kësaj pasurie shtetërore, apo më tepër edhe një proces i rrezikshëm si ai i demolimit të armatimit, janë procese që zhvillohen siç i ka parashikuar ligji, nën ndjekjen dhe kontrollin e strukturave shtetërore të ushtrisë. Por çfarë ka ndodhur me qeverinë shqiptare?Berisha justifikohet se Qeveria e tij nxori për këtë qëllim një Vendim në 15/03/2008 ku Qeveria kishte parashikuar këto rregulla. Por kush e kontrollon zbatimin e tij? Ajo tërë këto funksione ia la në dorë një apo disa kompanive private të dyshimta dhe mafioze.Qëllimi?! -realizimi i një afere korruptive shitblerje armësh apo skrapi.Pasojat?! -Tragjike në aspektin e humbjeve materiale e njerëzore, por tragjike edhe në aspektin politik e moral.Një radhë e tërë shtetarësh, politikanësh, zyrtarësh, partish me në krye Sali Berishën, Kryeministër më e pakta janë përzier direkt apo me mosveprime në këtë krim shtetëror, pasi mafia është bërë ortake me qeverinë dhe në rastin konkret i është imponuar asaj.Deri tani, në daljet publike si edhe në Kuvendin e Shqipërisë, Berisha dhe Mediu kanë pranuar atë pjesë të krimit që lidhet me mos veprimin, me neglizhencën, me formën e padijenisë etj. Qoftë edhe kaq, asnjë shtetar serioz nuk mund të justifikohet se nuk njeh Kushtetutën, se nuk njeh ligjet, se nuk njeh urdhrat apo udhëzimet, se “ia kanë fajin të tjerët, paraardhësit” etj. Një kryeministri serioz nuk i lejohet të shkelë Kushtetutën nga pakujdesia, se nuk e njeh atë dhe ligjet. Në çdo rast, me dashje apo pakujdesia, kur ai i shkel ato, shpërdoron detyrën, pasi nuk ka ushtruar funksionet me të cilat është ngarkuar t’i kryejë. Qoftë edhe për kaq, kur këto shkelje apo shpërdorime të detyrës nuk kanë sjellë pasoja, më e padiskutueshme është largimi dhe dorëheqja nga detyra dhe funksionet. Por ngjarjet e Gërdecit dhe pasojat e renda tragjike që lidhen me to, rrjedhojë e këtyre shkeljeve të rënda në ushtrimin e detyrës dhe funksioneve nuk kalohen me dorëheqje. S’ka imunitet politik apo ligjor që t’i mbrojë ato. Po le të vijmë tek akuza që rendon sot tek Berisha Kryeministër( themi sot, pasi nuk e dimë ç’do dalë nesër). Berisha nuk mund të përgjigjet për ato akuza që ka ngritur Prokuroria për Pinarin, Delijorgji etj., “për shkelje të rregullave të trajtimit të municioneve”! Ai përgjigjet dhe duhet të përgjigjet për shkelje të rënda të Kushtetutës, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, “Për Forcat e Armatosura”, “Për strategjinë e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare” etj., duke shpërdoruar rëndë detyrën si Kryeministër pasi ato kanë sjellë pasoja të rënda tragjike, ndër të cilat vrasjet masive të shtetasve, humbjet materiale të pasurisë se tyre dhe të pasurisë shtetërore.Neni 169/1 i Kushtetutës së Shqipërisë e ngarkon Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes të ushtrojë drejtimin direkt të Forcave të Armatosura, detyrë kjo e deleguar në kohë paqeje për ta nga Presidenti i Republikës.Neni 102 i Kushtetutës e ngarkon Kryeministrin të sigurojë zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave si dhe të kontrollojë çdo hallkë të punës së Ministrave apo të institucioneve të tera.Edhe ligjet funksionale të Këshillit të Ministrave, Forcave të Armatosura, të strategjisë ushtarake e ngarkojnë Kryeministrin me detyra specifike në fushën e organizimit dhe kontrollit të veprimtarisë të strukturave ushtarake. Por a i ka zbatuar Berisha këto detyrime kushtetuese dhe ligjore? Prognoza dhe analiza e deri tani pa dyshim që thotë jo. Dhe këtë fakt ai e ka pohuar vete. Çështja është se Berisha është problematik i rrezikshëm nga pikëpamja ligjore, se ai po përpiqet ta shpërndajë përgjegjësinë e krimit dhe pasojat tragjike që rrjedhin prej tij. Se ai po justifikohet me padijeninë dhe paditurinë e tij, me mos funksionimin e strukturave vartëse të tij etj., etj. Apologjia justifikuese e tij fsheh dhe tendencën për të zvogëluar përgjegjësinë e pse jo edhe për të bërë presion e manipuluar provat. Rrethimi policor i Vorës prej një jave dhe presioni ndaj medias dhe njerëzve që protestojnë atje nga deputeti i zonës e njëkohësisht kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e dëshmojnë këtë.Në këto kushte (pa dashur të ndikoj në punën e znj. Ina Rama si kryeprokurore apo prokurorëve të sapoemëruar që merren me hetimin e ngjarjes) është e domosdoshme që të sugjerohet që ata të mos merren vetëm me “çirakët”. Berisha është “Ustai” i madh i tyre. Ai duhet të ulet në gjunjë me duar përpara prokurorëve për të dhënë llogari. Vetëm ligji do ta pastrojë politikën. Kohët kanë ndryshuar po ashtu dhe rrethanat. Berishën nuk e shpëton dot tani as ndonjë amnisti e stisur si ajo e vitit 1997 as zemërgjerësia e Nanos e vitit 1998 e as ndonjë “aleat” që i rreh shpatullat në këto ditë kiameti.