Pse duhet të ikin këto lloj qeverish
• Ilir BeqjaKanë kaluar disa ditë nga ngjarja tragjike e të sh tunës, 15 mars 2007. Për ngjarjen kanë folur persona të ndryshëm, qytetarë, ushtarakë, profesionistë, analistë, diplomatë të huaj, politikanë, etj. Si qytetar kam ndjekur edhe unë me shqetësim ngjarjen dhe me interes diskutimet për të. Kam biseduar me familjarë, miq, të njohur, të afërm. Mosha të ndryshme, interesa të ndryshme, bindje politike të ndryshme. Eksperienca 16–vjeçare në funksione të ndryshme administrative më ka bërë që të mos ngutem asnjëherë në dhënien e gjykimeve për sjelljet apo përgjegjësitë e administratorëve të institucioneve shtetërore. Tash, pas disa ditësh, jam në gjendje të bëj një vlerësim të detyrimeve të funksionarëve të ndryshëm. Vlerësimin ma kanë lehtësuar vetë zyrtarët e lartë me budallallëqet që kanë deklaruar këto ditë. Nga një analizë e thjeshtë rezulton se shumë funksionarë të institucioneve të ndryshme nuk kanë kryer detyrën. Kaq duhet të mjaftonte që ministrat përkatës të shkarkonin nga detyra të gjitha këta funksionarë brenda të hënës. Tashmë që ministrat nuk e kanë zbatuar këtë detyrim të tyre, kryeministri i vendit duhet të kishte shkarkuar këta ministra. Meqë kryeministri nuk është në gjendje të zhvillojë përgjegjësitë e tija politike, atëherë ai duhet të largohet.Më lejoni të rendis më poshtë, pse, sipas mendimit tim, ministrat duhet të kishin shkarkuar, tashmë, funksionarët e institucioneve respektive.Ministria e MbrojtjeSNë shpjegimet e tij, si në seancën speciale të Kuvendit të Shqipërisë ashtu edhe para mediave, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, u përpoq të shpjegonte që ai kish zbatuar me përpikmëri detyrën, por vartës të tij apo struktura në vartësi të tij, nuk kishin zbatuar detyrën. Kështu shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kështu drejtuesi i “MEICO”-s, kështu shefi i SHIU-t, kështu shefi i departamentit juridik etj. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mëngjes, 17 mars 2008, zoti Mediu t’i shkarkonte nga detyra, këta persona. Asnjë prej tyre nuk pengonte vijimin e operacionit të emergjencës civile. Ndërkohë, zoti Mediu pranoi që, “de facto”, pas 31 muaj në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka qenë i aftë të krijojë një sistem që funksionon, ku urdhri zbatohet dhe ka mekanizma që kontrollojnë zbatimin e tij. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mesditë, 17 mars 2008, kryeministri Berisha të lironte ministrin Mediu nga detyra.Ministria e FinancaveNjë nga sipërmarrjet private të përfshira thellë në këtë ngjarje rezulton subjekti “ALBA DEMIL”. Ky subjekt është regjistruar në administratën tatimore në prill 2007 (është regjistruar në gjykatë në dhjetor 2006, ndërkohë që legjislacioni shqiptar vetëm në mars 2007 i ka lejuar një sipërmarrjeje private të kryejë atë aktivitet që “ALBA DEMIL” kish zgjedhur 3 muaj më herët!). Në regjistrimin në administratën tatimore, aktivitetit të subjektit i është vënë kodi 51.5. Ky është kodi i “Tregtisë me shumicë e pakicë të produkteve të ndërmjetme jobujqësore, mbetjeve dhe mbeturinave”. Pra, administrata tatimore nuk di si të kategorizojë aktivitetin e “ALBA DEMIL”, edhe pse që në mars 2007, vartësit e zotit Bode, kur kanë dhënë mendime për projektvendimin e marsit 2007, duhet të kishin vënë në lëvizje mekanizmin e përditësimit të nomenklaturës së aktiviteteve ekonomike edhe me këtë lloj të ri aktiviteti në Shqipëri.Prej kohësh, Ministria e Financave pretendon se është vënë në ballë të luftës kundër evazionit fiskal, e për rrjedhojë edhe atij kontributiv. Por, sot jemi para situatës që një subjekt juridik edhe pse ka një goxha kontratë nga buxheti i shtetit dhe paguhet nga thesari i shtetit nuk do t’ia dijë për administratën tatimore, nuk do t’ia dijë për pagat referuese, nuk do t’ia dijë për pagesën e pagave të punonjësve nëpërmjet sistemit bankar, etj. Si ka mundësi që një strukturë e Ministrisë së Financave i paguan miliona dhe një strukturë tjetër “mbyll” sytë e lejon që punën për të fituar milionat e bën vetëm administratori e ortaku?Ka edhe më. Shtetasi Delijorgji ka një tjetër aktivitet, prej ku rezulton debitor ndaj fiskut shqiptar. Si ka mundësi që ky shtetas, depoziton 75,000 lekë në bankë si kontribut në kapitalin e një shoqërie të re, dhe nuk ia konfiskojnë derisa të shlyejë qindarkat e detyrimeve ndaj çdo takse apo borxhi tjetër ndaj fiskut? Ku është sistemi i unifikuar i regjistrimit të biznesit? Ku është Shqipëria në moshën e internetit? Gjithë çfarë thashë apo pyeta më lart vijnë nga moskryerja e detyrës e disa funksionarëve të sistemit të Ministrisë së Financave. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mëngjes, 17 mars 2008, zoti Bode t’i shkarkonte nga detyra, këta persona. Nuk di që zoti Bode të ketë shkarkuar ndonjë prej tyre. Kaq duhet të mjaftojë që për çdo minutë që kalon pa veprim, kryeministri Berisha të lirojë ministrin Bode nga detyra.Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të BarabartaTë gjithë kanë parë që në një subjekt juridik privat nuk zbatohet asnjë rregull apo normë për marrjen në punë, sigurinë në punë, kushtet e punës, shpërblimin e punës etj. Po ashtu 12 km nga selia e Ministrisë së Punës, zhvillohet një aktivitet i panjohur nga nomenklatura (e aktiviteteve) përkatëse shqiptare dhe njerëz punojnë në ca profesione po ashtu të panjohur nga nomenklatura (e profesioneve) përkatëse. Ministri i Punës (po ashtu vartësit e tij), si anëtar i kabinetit qeveritar, është njohur me këtë aktivitet të ri që po lindte në Shqipëri që në mars 2007. Që atëherë, asnjë funksionar i Ministrisë së Punës nuk ka iniciuar ndonjë proces përditësimi të nomenklaturave shqiptare. Po ashtu, rezulton që “ALBA DEMIL” nuk ka pasur, në 11 muaj, asnjë marrëdhënie me Shërbimin Kombëtar të Punësimit apo Inspektoratin Shtetëror të Punës. Justifikimi është që nuk është paraqitur apo nuk mund të kontrollojmë në një repart ushtarak.Të gjithë e panë që në një site në internet mund të gjesh shumë lehtë çdo subjekt shqiptar, çfarë aktiviteti ka dhe ku e ka selinë. Kaq mjafton që edhe ISHP-ja të gjejë çdo subjekt në Shqipëri dhe për pasojë të programojë inspektimet. Po ashtu, të gjithë e panë që në një repart ushtarak kishin marrë leje për të hyrë fëmijë, burra, gra. Pra një leje të tillë mund ta kishin marrë edhe inspektorët e punës.Gjithë çfarë thashë më lart vijnë nga moskryerja e detyrës e disa funksionarëve të sistemit të Ministrisë së Punës. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mëngjes, 17 mars 2008, zoti Barka t’i shkarkonte nga detyra, këta persona. Nuk di që zoti Barka të ketë shkarkuar ndonjë prej tyre. Kaq duhet të mjaftojë që për çdo minutë që kalon pa veprim, kryeministri Berisha të lirojë ministrin Barka nga detyra.Ministria e BrendshmeMe ardhjen e PD-së në pushtet në shtator 2005, portofolat qeveritare u riorganizuan e për rrjedhojë, edhe pse në kulm të procesit të decentralizimit, Ministria e Pushtetit Vendor u shkri në Ministrinë e Brendshme. Pra, që nga shtatori 2005, krerët e zgjedhur të njësive vendore hallet e shqetësimet e tyre i qajnë në Ministrinë e Brendshme. Kështu, kryetari i Bashkisë së Vorës ka kërkuar me ngulm që fabrika e demontimit të Gërdecit të mos ishte aty. Asnjë nga funksionarët e Ministrisë së Brendshme nuk kanë arritur të zgjidhin kërkesën e bashkiakut të Vorës. Asnjë prej tyre nuk kanë informuar ministrin për situatën. Gjithë çfarë thashë më lart vijnë nga moskryerja e detyrës e disa funksionarëve të sistemit të Ministrisë së Brendshme. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mëngjes, 17 mars 2008, zoti Nishani t’i shkarkonte nga detyra, këta persona. Nuk di që zoti Nishani të ketë shkarkuar ndonjë prej tyre. Kaq duhet të mjaftojë që për çdo minutë që kalon pa veprim, kryeministri Berisha të lirojë ministrin Nishani nga detyra.Ministria e ShëndetësisëNë të gjithë diskutimet e pas tragjedisë, do të kujtohet gjatë si barcaletë krenaria e ministrit të Shëndetësisë për performancën e sistemit të shëndetësisë. Por çfarë ndodhi atë ditë në spitalet e Tiranës, sipas asaj që pamë në ekranet e televizioneve? Të gjithë i pamë që të sëmurët vinin me ambulance te pashoqëruar nga asnjë asistent mjekësor. Të gjithë e pamë që të plagosurit nxirreshin nga makinat pa asnjë normë dhe që rrugës nuk u ishte dhënë asnjë lloj ndihme paraprake. Të gjithë e pamë që asnjë nga të plagosurit nuk kishte qafore apo tjetër mjet mobilizues të përdorur gjatë transportit në të tilla raste. Kush ka qenë në qendrën e traumës apo në QSUT ka parë me sy që rreth dy orë pas tragjedisë filluan të vinin me autovetura private furnizime me materiale sanitare. Madje, u është kërkuar mjekëve të sjellin materiale sanitare nga klinikat e tyre private. Të gjithë e panë që banka e gjakut ishte e zbrazët e për fat të keq më vonë të gjithë dëgjuam që nuk mund të administrohej gjaku i dhuruar. Pra, është e lehtë të kuptosh që spitalet tona nuk ishin gati të përballonin një situatë të tillë. Kjo përgatitje bëhet përditë dhe për të janë përgjegjës funksionarë të ndryshëm.Çfarë thashë më lart vjen nga moskryerja e detyrës e disa funksionarëve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë. Kaq duhet të mjaftonte që të hënën në mëngjes, 17 mars 2008, zoti Ndoka t’i shkarkonte nga detyra, këta persona. Nuk di që zoti Ndoka të ketë shkarkuar ndonjë prej tyre. Kaq duhet të mjaftojë që për çdo minutë që kalon pa veprim, kryeministri Berisha të lirojë ministrin Ndoka nga detyra.Mund të vijoja me analizën edhe për të tjera ministri. Të paktën të njëjtën papërgjegjshmëri rezulton të ketë edhe Ministria e Transportit, edhe Ministria e Integrimit, edhe Ministria e Drejtësisë, edhe Ministria e Mjedisit. Pa dyshim që të tjerë njerëz të përgjegjshëm duhet të kenë gjetur të meta edhe të ministrive të tjera. Mendoj se nuk është vendi të zgjatem.* * *Unë pranoj që nuk jam në dijeni të veprimeve të mundshme administrative që mund të kenë kryer funksionarët e mësipërm. Por, të gjithë jemi dëshmitarë, që këto ditë, asnjë prej pyetjeve që unë shtrova më lart, nuk ka marrë një përgjigje publike. Cilat mund të jenë arsyet që nuk ka pasur zbatim detyre nga funksionarët e mësipërm? Një përgjigje të përgjithshme e kam. Mesa duket asnjë nga këta, nuk e ka fare idenë se çfarë do të thotë të punosh në një detyrë publike, nuk e kuptojnë se çfarë përgjegjësie është të marrësh përsipër të bësh një detyrë publike. Eshtë shumë e dhimbshme të pranosh që pas 17 vitesh nuk kemi arritur të zhvillojmë asnjë fije profesionalizmi në zbatimin e detyrave dhe asnjë ndjenjë përgjegjësie institucionale për gabimet apo dështimet. Eshtë e frikshme sepse nuk pritet asnjë përmirësim, përkundrazi vetëm përkeqësim. E kjo ndodh, veç të tjerash, sepse këta funksionarë janë marrë në punë nëpërmjet një procesi krejt informal, rastësor, klanor apo politik. Kështu që nuk ndjejnë detyrim ndaj askujt. Po ashtu gjejnë një mjedis pune nuk ka as standarde, as kërkesë llogarie, as modele për të marrë për shembull. E për pasojë në vend që të përmirësohen, veçse dreqosen. Që kjo gjë të marrë fund, duhet medoemos që të gjithë këta funksionarë të largohen nga detyrat e tyre. Jo vetëm sepse janë përgjegjës për çfarë kanë bërë keq apo nuk kanë bërë, por sidomos sepse kushdo që aspiron të bëjë karrierë të ndershme profesionale të mendohet mirë sepse në radhë të parë ka detyrime dhe përgjegjësi. Kam ndjekur, si edhe shumë të tjerë, prononcimet në media të kryeministrit, ish-ministrit të Mbrojtjes apo ministrave të tjerë. Po ashtu edhe recitimet e tyre në seancën e Kuvendit. Me keqardhje konstatoj se, shumica e ministrave (për kryeministrin nuk kam pasur ndonjëherë dyshim) nuk kanë asnjë lidhje me detyrën shtetërore. Të gjithë na thanë që kishin kryer detyrën, sepse i kishin dhënë urdhrat. Sa turp! Po kush mban përgjegjësi për moszbatimin e rit. Kush mban përgjegjësi për mosfunksionimin e mekanizimit të zbatimit të rit. Padyshim titullarët. Por për fat të keq, shumica e titullarëve tanë nuk kanë asnjë ditë pune si nëpunës, nuk kanë asnjë ditë pune si vartës, nuk kanë dhënë ndonjëherë llogari. Për pasojë nuk kanë nga ta dinë, çfarë është kërkesa e llogarisë. Për këtë arsye kryeministri duhet t’i shkarkojë ministrat e tij. Jo vetëm sepse janë përgjegjës për çfarë kanë bërë keq apo nuk kanë bërë ministritë e tyre, por sidomos sepse kushdo që aspiron të bëjë karrierë politike brenda PD-së, brenda Forumit Rinor të PD-së, por edhe në çdo lloj formacioni tjetër politik në Shqipëri të mendohet mirë sepse në radhë të parë ka detyrime dhe përgjegjësi.Por, kryeministri ynë nuk i largoi ministrat e paaftë. Ai e humbi shansin që të vinte në Kuvend me listën e ministrave të liruar dhe listën e gjatë të funksionarëve të shkarkuar. Nëse do të kishte bërë këtë, mendoj se do të kishte të drejtën morale t’i kërkonte shqiptarëve dhe opozitës kohë të mjaftueshme për të bërë operacionin e thellë të shpëtimit të administratës shqiptare. Pastaj të linte shqiptarët t’i bënin vlerësimin. Mund të ndodhë që kryeministri të mos ketë asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në aferën e Gërdecit. Megjithatë mendoj se kryeministri duhet të ikë. Jo vetëm sepse është përgjegjës sepse pas 31 muajsh qeverisje, e vetmja gjë që ka bërë, siç tha zonja Valentina Leskaj, është demontimi i shtetit. Jo vetëm sepse ai, më shumë se kushdo tjetër në Shqipërinë e sotme, është përgjegjës që pas 17 vjetësh shqiptarët nuk kanë një shtet që kujdeset dhe i mbron. Jo vetëm sepse ai për 8 vjet pa një muaj ka qenë o president, o kryeministër i Shqipërisë. Ai duhet të ikë që të paktën të bëjë një shërbim të mirë. Të ndihmojë në vendosjen e një standardi për të cilin do të duhet të mendohet çdo njeri që do të dojë të bëhet kryeministër i Shqipërisë.