Ferri i Gërdecit mbi rrënojat e zgjedhjeve
• GAQO APOSTOLIFerri i Gërdecit morri jetën e dhjetëra njerëzve, ndërmjet tyre edhe gra e fëmijë, gjymtoi me qindra të tjerë dhe shkatërroi jetën e disa mijërave. Ky ferr i tmerrshëm u ngrit mbi rrënojat e zgjedhjeve të procesit MegaDushk 2005, i dhunuar në të gjitha dimensionet e tij ligjore dhe kushtetuese. Mbi bazën e rezultatit tërësisht antikushtetues të këtyre zgjedhjeve të dhunuara u ngrit qeverisja ferr e Berishës që traumatizoi sërish, edhe këtë pranverë, tërë shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, analizat e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, të shoqëruara me ngjarje tragjike brenda tyre, tregojnë se ka një korrelacion të plotë ndërmjet shkallës së manipulimit/dhunimit të zgjedhjeve politike dhe nivelit të keqqeverisjes. Eshtë tërësisht evidente se, kur këto zgjedhje përfundojnë në masakra elektorale, atëherë keqqeverisja prodhon katastrofa shtetërore që shkatërrojnë në përmasa të pallogaritshme jetën njerëzore. Dhunimi i njëpasnjëshëm i zgjedhjeve politike kulmon në të dy skajet e segmentit kohor të kësaj dekade, përkatësisht më 26 maj 1996 dhe 3 korrik 2005, ku zgjedhjet u kthyen në kasaphana elektorale. Fare qartë rezulton se, ashtu si ngjarjet tragjike të pranverës së vitit 1997 janë produkt i qeverisjes mizore të ngritur mbi masakrën elektorale të 26 majit 1996 të organizuar nga lidershipi i PD, edhe ferri i Gërdecit është pasojë e drejtpërdrejtë e procesit elektoral tragjik MegaDushk 2005 të organizuar nga lidershipi i binomit politik PD&PS. Tashmë është plotësisht e argumentuar se në thelbin e zhvillimit të masakrave elektorale, qëndron etja e shfrenuar për ta mbajtur ose për ta marrë pushtetin qeverisës me çdo kusht, apo për të mbijetuar me çdo kusht në lidershipin e një politike hienë. Dhe marrja apo mbajtja me çdo kusht e pushtetit qeverisës kërkohet nga lidershipe ogurzinj të partive, vetëm për qëllime të këqija dhe djallëzore. Më së paku mund të thuhet, që atyre u duhet për qëllime të dyshimta. Por një logjikë e guximshme do të konkludonte qartë se, pas krimit që qeverisja e Berishës shkaktoi në Gërdec, pushteti qeverisës i fituar apo i mbajtur me çdo kusht u duhet këtyre ogurzinjve të politikës së mbrapshtë për pasurim galopant të menjëhershëm, përmes një korrupsioni të përmasave të frikshme dhe trafiqeve kriminale çnjerëzore, të organizuar nga klane të përziera, politike, ekonomike dhe familjare. Klaneve të tilla, pushteti qeverisës u duhet kryesisht, jo për të drejtuar vendin dhe shoqërinë drejt integrimit në familjen e madhe euroatlantike, por për të sunduar mbi vendin dhe shoqërinë. Këto klane që janë elemente apo vetë konstruksioni i mafies shtetërore, asaj rajonale apo me shtrirje më të gjerë, paraqesin rrezikshmëri të jashtëzakonshme dhe permanente për shoqërinë tonë. Klanet mafioze e kërkojnë integrimin euroatlantik vetëm si fasadë për të mbuluar etjen e tyre për sundim mbi shoqërinë dhe për ta garantuar këtë sundim për periudha të tëra. Në një kontekst më të plotë, një nga mjetet kryesore që lidershipi PD&PS vazhdon të përdorë për të zgjatur sundimin e rotacionit të tyre në qeverisje, është insistimi i tyre stoik për të manipuluar bashkërisht reformën elektorale. Përmes ferrit pafund të Gërdecit të ngritur mbi rrënojat e zgjedhjeve të dhunuara të procesit MegaDushk 2005, binomi PD&PS vazhdon të mbështesë në kalendarin e punimeve të Parlamentit propozimin për ndryshimin kushtetues të sistemit zgjedhor, i cili fsheh në vetvete një hile të madhe që edhe grekët e vjetër do ta kishin zili. Hileja e këtij propozimi ogurzi për një sistem zgjedhor proporcional rajonal, mban të fshehur “në barkun e tij” metodën barbare d`Hondt, që e masakron tërësisht proporcionalitetin në shpërndarjen e mandateve. Përmes kësaj hileje, ky binom tragjik kërkon të mashtrojë parlamentarët tanë, në shumicë të paditur, pa integritet dhe të nënshtruar, që të miratojnë propozimin kushtetues me 2/3 e votave (94 deputetë) dhe, më pas, me 3/5 e votave (84 deputetë) të miratojnë në Kodin Zgjedhor metodën vrastare d`Hondt (të ashtuquajtur spanjolle). Hileja ogurzezë PD&PS që vërtitet ambienteve të politikës dhe të Parlamentit për t‘i zgjatur sundimin rotativ politik dhe qeverisës këtij binomi tragjik, duhet demaskuar me intensitet të vazhdueshëm në opinionin publik. Nëse Berishës i kërkohet dorëheqja dhe duhet të largohet sa më parë për ferrin e Gërdecit, kësaj hileje ogurzezë, që kërkon të ndërpresë përfundimisht zhvillimin e demokracisë dhe pluralizmit në vend, i duhet prerë koka. Binomi tragjik PD&PS, si propozues dhe mbështetës të këtij ndryshimi kushtetues për sistemin zgjedhor, duhet të tërhiqet nga kjo iniciativë fatale që parathotë Gërdecë të rinj të ngritur mbi zgjedhje të rrënuara, që do të pasojnë në një Shqipëri gërdece, me demokraci të vrarë, pluralizëm të gjymtuar dhe ekonomi të shkatërruar...