“S’ka stop, ndeshjet do të luhen”
• Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur urgjentisht mbrëmë për të shqyrtuar situatën në kampionatin e Superiores, pas kërkesës së bërë nga një pjesë e përfaqësuesve të klubeve.Këta të fundit, pas një mbledhjeje mes tyre, kanë drejtuar edhe një deklaratë të përbashkët për FSHF. KE pasi diskutoi kërkesat e klubeve, vendosi: Ndeshjet e javës së 24-të të Superiores, të planifikuara për t’u luajtur të shtunën më dt. 22.03.08, të zhvillohen sipas kalendarit. Gjyqtarët, delegatët dhe vëzhguesit e FSHF-së do të jenë të gjithë të gatshëm në stadiumet ku do të luhen ndeshjet. Për skuadrat që nuk do të paraqiten në fushën e lojës, do të zbatohet rregullorja e aktivitetit. Ngarkohet sektori i garave për zbatimin e këtij vendimi. Më tej, Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje klubeve, që të zbatojnë rregulloren e aktivitetit dhe detyrimet që ju lindin nga statuti, si anëtarë të kësaj Federate.