E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha u kërkon ministrive të përfundojnë procesin e privatizimeve



Kryeministri Berisha mblodhi dje Task-Forcën për privatizimet, në të cilën u diskutua për ecurinë e procesit të privatizimeve, si dhe mbi angazhimin e të gjitha ministrive në këtë proces. Në takim ishin të pranishëm ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ky proces, nënvizoi kryeministri Berisha, është një proces themelor i reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare, proces themelor për ekonominë e vendit, si dhe mjaft i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se ka pasur një lëvizje dhe një punë të gjithanshme nga ana e institucioneve për të shpejtuar këtë proces, i cili, në fakt, ka njohur një përshpejtim, por ritmet e tij duhet të jenë edhe më të larta. Berisha theksoi se procesi i privatizimeve është një përparësi absolute e administratës dhe një proces jetik, si dhe kërkoi nga të gjitha ministritë që të mbyllnin sa më shpejt dhe me eficencë këtë proces.

Dule: “Të shtyhet votimi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkon shtyrjen e votimit të anëtarëve të dekretuar të Gjykatës Kushtetuese deri në zgjidhjen e situatës politike. Vetëm pak minuta pasi Bamir Topi dekretoi 3 emrat e rinj për në Gjykatën Kushtetuese, aleati i PS-së, Dule, ka kërkuar shtyrje të votimit, ndërkohë që ka mbështetur propozimin e socialistëve për votim konsensual. “Propozimi i PS–së tingëllon racional dhe ka mbështetjen tonë në këto momente të zhvillimeve shumë të brishta politike në vend. PBDNJ-ja do ta konsideronte më konstruktive shtyrjen e votimit për një situatë më normale politike”, - theksoi kreu i PBDNJ-së.

Berisha u nis dje drejt Kroacisë, ku do të marrë pjesë në takimin vjetor të BERZH-it

Kryeministri Berisha u nis pasditen e djeshme për në Zagreb të Kroacisë, për të marrë pjesë në takimin e 19-të vjetor të BERZH-it dhe në Forumin e Biznesit që do të zhvillohet atje, pjesë e këtij evenimenti. Në këtë takim të rëndësishëm pritet të marrin pjesë mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët do të marrin pjesë në diskutimet mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse.
Gjatë këtij takimi do të merren dhe vendime të rëndësishme mbi strategjitë e viteve në vijim të BERZH-it. Në këtë vizitë, kryeministri Berisha do të zhvillojë disa takime të rëndësishme bilateral, si dhe do të marrë pjesë në takimin informal, pjesë e aktivitetit, mes 19 vendeve ndër të cilat Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia etj.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›