Pyetësori i KE-së, qeveria përgjigjet edhe për përmbytjet
Përmbytjet, kapitulli 27 parashikon një grup pyetjesh
Mjedisi, qeveria u ka dhënë përgjigje 79 për qind
Pyetësori i Komisionit Evropian prej 2260 pyetjesh parashikon edhe një grup pyetjesh për përballimin e situatave emergjente. Në pyetësor, qeveria shqiptare do të duhet të përgjigjet edhe për mënyrën e përballjes me emergjencat civile. Është kapitulli 27 i dokumentit të KE-së për mjedisin i koordinuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nga ku u është dhënë deri tani 79% e përgjigjeve.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, konfirmoi dje se në pyetësor janë pyetje që kanë të bëjnë me pjesën e mjedisit, të emergjencave civile; është kapitulli 27, pyetjet fillojnë që nga forma administrative. Sipas saj, është organizuar administrativisht pjesa e emergjencave civile, pranë cilit institucion është atashuar, deri në pyetje që kanë të bëjnë me përballimin e situatave të tilla. Ajo beson se kjo situatë në të cilën ndodhet vendi – është një situatë e shpallur e emergjencës civile – po përballohet dhe është e menaxhueshme. “Sigurisht, në të gjitha detyrimet që kemi sot si vend anëtar i NATO-s edhe në të gjitha detyrimet që kemi për të raportuar në bazë të marrëveshjeve bilaterale dhe kufitare me vendet fqinje, jemi të detyruar të raportojmë për situatën, për numrin e hektarëve të përmbytur, humbjeve që mund të ketë, shtëpitë e dëmtuara, informacion që përcillet në mënyrë të qendërzuar nga Komiteti i Emergjencave i ngritur tani”, - deklaroi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ajo shtoi se situata deri tani, pavarësisht se është e rëndë, ka treguar se për aq kohë sa do të funksionojë mënyra e identifikimit të problematikës, të personave të cilët janë në rrezik dhe çka është më kryesorja, evakuimi i tyre, situata mund të cilësohet krejtësisht e menaxhueshme dhe e përballueshme nën termat e një emergjence civile.
Pyetësori, 29 ekspertë për qartësimin e përgjigjeve
Qeveria ka ofruar nëpërmjet projektit SMEI II gjithsej 29 ekspertë për 27 kapitujt e pyetësorit të KE-së. Megjithatë, ekspertët nuk do të jenë bazë për të formuluar përgjigjet, por thjesht për të qartësuar paqartësi që qeveria mund të ketë në pyetje, për terminologji apo ndonjë vizion, i cili shkon përtej një dhjetëvjeçari, për të pasur edhe një këndvështrim nga ekspertë të vendeve të BE-së. Ndërkohë që ka përfunduar përkthimi i pyetësorit në shqip, përkthyesit kanë më se një javë që janë angazhuar në përkthimin e legjislacionit evropian që do të jetë shtesë e anekseve për të pritur dorëzimin e miratimit përfundimtar nga Këshilli i Ministrave, nga KNI, të drafteve ose përgjigjeve finale të para dhe për të filluar përkthimin e tyre. Ndërkaq, është kryer trajnimi i përdoruesve të portalit të administrimit elektronik të procesit. Me datë 5 janar 2010, Ministria e Integrimit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI) organizoi trajnimin e nëpunësve të administratës shqiptare për përdorimin e portalit. Përveç respektimit të kalendarit, i cili i jep mundësi çdo hallke të procesit të funksionojë, më shumë se çdo gjë, ka rëndësi cilësia, ndaj janë përgjigje statistikore të mbylljes së përgjigjeve të kapitujve. Por qeveria e ka të qartë se faza më e rëndësishme fillon tani, kur të gjitha institucionet ulen për të lexuar dhe diskutuar përgjigjet dhe për të vendosur për variantin final të përgjigjeve. Aktualisht, janë pa përgjigje të përfunduara ato të kriterit politik. Brukseli ka shtuar në momentin e fundit edhe pyetje për bojkotin e opozitës. "Në pjesën e kriterit politik, ka pyetje që nga Parlamenti, mënyra e organizimit, komisionet parlamentare etj., por edhe pyetje që deri diku janë një lloj risie dhe prezantohen në pyetësor, nisur nga situata aktuale, mospjesëmarrja e opozitës në Parlament prej disa muajsh, ku specifikisht edhe kërkohet se çfarë parashikon ligji shqiptar për partitë politike që nuk marrin pjesë në Parlament ose nëse parashikohet në ligj shkrirja e një partie, si rregullohet me ligj etj.", - tha Majlinda Bregu, ministre e Integrimit.