Berisha urdhëron mbi 400 policë të dhunojnë një pronë private
TIRANË – Shkatërrimi i pronës private të familjes Kika në qendër të Tiranës nga qeveria ka shkaktuar përplasjen mes forcave të rendit dhe atyre bashkiake, të cilat janë thirrur në ndihmë nga pronari për të mbrojtur pronën. Për të tretën natë radhazi, të gjitha strukturat e shtetit, të aktivizuara pa urdhër dhe bazë ligjore, po tentojnë të prishin tokën në zemër të kryeqytetit dhe për ta kthyer në mënyrë arbitrare në lulishte. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes tensionet kanë arritur kulmin. Policia shoqëroi një punonjës të Policisë Bashkiake dhe është dashur ndërhyrja e deputetit të PS-së, Eduard Shalsi, ish-nënkryetar i Bashkisë, i cili ka kërkuar nga drejtori i Drejtorisë së Qarkut të Policisë së Tiranës që të lirojë policin bashkiak.
Poseduesi i truallit ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake, por një situatë e tillë ka sjellë konflikte mes forcave të Policisë së Rendit, të urdhëruara nga qeveria, dhe strukturave të Policisë Bashkiake. Madje, mbrëmë vonë, rreth orës 21:40, janë shënuar konfrontime fizike mes dy palëve.
Pronari i truallit, bashkë me investitorin, kanë përgatitur dokumentet dhe janë miratuar para disa kohësh me firmën e qeverisë për të realizuar një objekt. Pak kohë më parë, qeveria hoqi 1/5 e sipërfaqes, e cila ndodhet në zemër të Tiranës, në këndin e Rrugës së Kavajës me Rrugën e Durrësit, që ka qenë në pronësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Tensionet
Mbi 400 forca policore i janë bashkuar mbrëmë Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit për të prishur mjediset e familjes Kika. Disa fadroma kanë synuar të bëjnë të njëjtin veprim që kanë bërë edhe dy net më parë, për të rrafshuar gjithçka që ndodhet në truallin fare pranë qendrës së Tiranës. Por, poseduesi i tokës, i cili ka gjetur të vetmen strehë për mbrojtje Bashkinë e Tiranës, ka rezistuar, së bashku me forcat e Policisë Bashkiake. Rreth orës 21:30 fadromat kanë tentuar të rrafshojnë gjithçka, por kjo ka shkaktuar tensione mes palëve. Për pasojë, forcat e rendit ndaluan dhe shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës inspektorin Afrim Qendro dhe një punonjës tjetër të Policisë Bashkiake. Për zgjidhjen e situatës ka ndërhyrë ish-nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, sot deputet i PS-së, i cili ka kërkuar nga krerët e Policisë së kryeqytetit që të lirojnë personat e shoqëruar. Gjatë gjithë natës, deri në orët e para të ditës së sotme, toka e familjes Kika është bërë gardh nga forca policore të të dyja palëve.
Shkaqet
Pas përpjekjeve të vazhdueshme të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit për të prishur një pronë në qendër të Tiranës, pronarët e saj, familja Kika ka bërë një ankesë pranë Bashkisë së kryeqytetit. Pronarët e tokës kërkojnë ndihmë, pasi struktura e Inspektoratit, që varet nga Ministria e Punëve Publike, ka ndërhyrë në pronën e tyre pa asnjë urdhër të shkruar, duke tentuar të mbushin plotësisht gropën, e cila ishte hapur për ndërtim. Ata e kanë cilësuar këtë veprim si një rast të paprecedentë kur shteti cenon një pronë private, duke e dëmtuar atë dhe, mbi të gjitha, duke shkelur ligjet në fuqi. Pretendimi i Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar për ndërhyrjen është se ky truall do të kthehet në lulishte. Por, Bashkia e Tiranës, e cila e ka këtë kompetencë, nuk e ka marrë një vendim të tillë. Mbi të gjitha, Inspektorati ka sfiduar ligjin, pasi që në vitin 1996, me vendim të KRRT-së së Bashkisë dhe me firmën e ish-kryetarit Sali Kelmendi, u është dhënë pronarëve të truallit leje për ndërtim në një sipërfaqe prej 2024 metrash katrorë. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës e cilëson këtë situatë të pazakontë. Në rastin konkret, vetë shteti ka shkelur katër herë ligjin; së pari ka dhunuar rrethimin, ka ndërhyrë në pronë private, ka prishur reklamat dhe ka dëmtuar rrugën.
Familja Kika kërkon ndihmën e Bashkisë: “Na u cenua prona private”
Një ditë pas dhunimit të pronës private nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, familja Kika, që disponon truallin, ka depozituar një ankesë pranë Bashkisë së Tiranës. Pronarët e tokës kërkojnë ndihmë, pasi struktura e Inspektoratit, që varet nga Ministria e Punëve Publike, ka ndërhyrë në pronën e tyre, pa asnjë urdhër të shkruar, duke tentuar të mbushin plotësisht gropën, e cila ishte hapur për ndërtim. Ata e kanë cilësuar këtë veprim si një rast të paprecedentë kur shteti cenon një pronë private duke e dëmtuar atë dhe, mbi të gjitha, duke shkelur ligjet në fuqi. Pretendimi i Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar për ndërhyrjen është se ky truall do të kthehet në lulishte.
Deklarata
Ministria e Punëve Publike: Do ta bëjmë lulishte
TIRANË – Qeveria po zëvendëson Bashkinë e Tiranës dhe zyrtarisht deklaron se gropën në qendër të Tiranës do ta bëjë lulishte. Burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dolën mbrëmë me një deklarata, ku thuhet se “me ndërhyrjen që po bëhet, kjo gropë mbeturinash do të shndërrohet në një hapësirë publike, sikurse u veprua me ish-gropën e Sejdin Hajdisë prapa Teatrit të Operas, që sot është një lulishte në funksion të qytetarëve”. Zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve thotë se shumë shpejt kjo tokë do të kthehet në hapësirë të gjelbër. Sipas saj, prej dy ditësh, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, përmes Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, po punon për mbylljen e gropës në fillim të Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. “Gropa, që ka shërbyer deri dje si një vend i rrethuar hedhurinash, ndodhet në një truall pronë shtetërore”, - thuhet në deklaratën, e cila bie ndesh me pretendimet e pronarit të ligjshëm të kësaj prone.
Abuzimi me tokën në Orikum, familjarët e çojnë çështjen në Gjykatë
ORIKUM - Ish-punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore në Orikum vazhdojnë të kërkojnë pronësinë për tokën që e kanë marrë në përdorim sipas Ligjit 7501. Ata i janë drejtuar gjykatës, duke kërkuar certifikatat e pronësisë. Por, ndërkohë anëtarë të familjes Sinanaliaj kanë dalë në një konferencë për të paraqitur dokumentet që, sipas tyre, i bëjnë pronarë të ligjshëm të 230 dynymëve tokë. Familja Sinanaliaj ka konfirmuar edhe faktin se shtetasi Rrahman Selmanllari, i njohur si person i afërt me familjen e kryeministrit, është pronar i katër mijë metrave katrorë në Orikum. Sipas dokumenteve të paraqitura prej tyre, ai rezulton ta ketë blerë në vitin 2007 me 10 euro metrin katror. Nëpërmjet një deklarate për mediat edhe vetë Selmanllari ka mbrojtur të njëjtin pretendim, madje, ka deklaruar se do të padisë në gjykatë ato media që kanë deklaruar të kundërtën. Por, njëkohësisht, Selmanllarit dhe pronarëve të tjerë do t'u duhet të përballen me padinë e vetë punëtorëve që e kanë tokën në përdorim, pasi e kanë marrë atë me Ligjin 7501.
31 Tetor 2009