E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta dominon Skënderbeun dhe ruan vendin e pestë

Teuta vazhdon të ruajë një ecuri të mirë për sa i përket këtij fillimsezoni të kampionatit shqiptar të futbollit. Në javën e nëntë, durrsakët janë ndeshur në stadiumin "Niko Dovana" me Skënderbeun, që duket se e ka humbur ritmin e mirë të atyre javëve të para të edicionit. "Djemtë e detit" arritën të fitojnë pastër 2-0 ndaj miqve nga Korça, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë, nga Hodo dhe Hysa. I pari realizoi me një goditje dënimi, por edhe me ndihmën e murit korçar, që e devijoi topin drejt rrjetës së Llapanjit, ndërsa i dyti konkretizoi një aksion model, që pati për iniciator Hysenin. Bëhet fjalë për një takim të dominuar thuajse totalisht nga durrsakët, duke bërë një lojë të mirë dhe duke krijuar shumë raste për gol. Megjithatë, pjesa e parë nuk dhuroi shumë emocione, ndërsa në pjesën e dytë u realizuan edhe dy golat e vetëm të kësaj ndeshjeje. Me këtë fitore, Teuta e drejtuar nga Mirel Josa ngjitet në vendin e katërt në renditje, me 15 pikë, duke parakaluar kështu Tiranën, që ka një pikë më pak. Në anën tjetër, Skënderbeu vijon të shfaqë probleme në transfertë, edhe pse në Durrës, në pjesën e parë, pati iniciativën në lojë, madje humbi edhe një rast të pastër për gol.

A. M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›