E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa zihet "rob" në kalanë e Kastriotit

Besa e Kavajës, që e ka ndjekur Dinamon kryesuese hap pas hapi, që nuk e kishte provuar shijen e humbjes deri të dielën e 1 nëntorit 2009, është dorëzuar në Krujë. Vendasit u shkaktuan kavajasve dhe humbjen e parë në kampionat. Dhe ndëshkimi nga Kastrioti ka ardhur në momentin më delikat, kur Dinamo kishte fituar 4-0 një ditë më parë ndaj Gramozit, pikërisht në minutën e 92-të të ndeshjes, ku Abazaj ka ngritur peshë tifozerinë krutane, ndërkohë që ka pllakosur heshtja e madhe në kampin kavajas. Ndeshja nis me një lojë të ngadaltë nga të dyja ekipet dhe brenda 90 minutëshit të rregullt asnjëra skuadër nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, edhe pse shënuan nga një gol për pjesë, por që gjyqtari ua anuloi për pozicione jashtë loje. Në 45-minutëshin e parë ishin miqtë që u munduan të merrnin frenat e lojës në dorë, krijuan disa raste për shënim, por mungoi konkretizimi. Ndërsa vendasit, të drejtuar nga trajneri i tyre i dytë, pasi studiuan lojën e miqve, provuan të ishin të rrezikshëm dhe shënuan një gol, por gjyqtari e anuloi për pozicion jashtë loje. Në të dytën vendasit ishin më agresivë, krijuan më shumë raste me Abazajn, Kalarin e Shametin. Daniel Xhafa është i vetmi kërcënues i miqve nga Kavaja. Në rastin e parë i anulohet një gol për pozicion jashtë lojë, ndërsa në të dytin tregohet shumë egoist dhe nuk pason te shoku i skuadrës, i cili ishte në një pozicion më të favorshëm për të gjuajtur drejt portës së Besës. Ndërkohë që kur po afroheshin minutat e fundit, vjen një tjetër mundësi për miqtë, por Leci sfumon gjithçka, me një gjuajtje krejtësisht të gabuar, shumë larg portës. Këto ishin rastet e skuadrës së Shpëtim Duros në pjesën e dytë, ku kavajasit lanë për të dëshiruar. Por në sekondat e fundit vjen ndëshkimi. Oriand Abazaj në sekondat e fundit të takimit, pikërisht në minutën e dytë shtesë, ka kaluar në delir tifozerinë vendase. Goli ka ardhur nga një goditje e ndalur dhe Abazaj e devijon me kokë drejt rrjetës. Portieri Orges Shehi ka pësuar kësisoj golin e dytë në këtë kampionat, pasi nuk ishte prekur rrjeta e tij qysh në javën e parë të kampionatit, në Peqin, në fitoren 2-1 të Besës. Tashmë diferenca mes Besës dhe Dinamos shkon në 5 pikë, duke e bërë akoma më interesante ndeshjen e radhës mes tyre, javën e ardhshme, në stadiumin e Kavajës. Sidoqoftë, kjo diferencë krijon një presion të madh në radhët verdhezi, që shikojnë të largohen jo pak nga kreu. E kundërta mund të thuhet për blutë e Dinamos, që, kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i fazës së parë, mund ta konsiderojmë pothuajse "kampione e dimrit", një titull simbolik ky.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›