E Diel, 1 Nëntor 2026

Lotaria Amerikane, gabimet që skualifikojnë kandidatët që në fazat e aplikimit



Skualifikimet e kandidatëve për Lotarinë Amerikane 2011 do të nisin që në fazën e parë të saj, që është procesi i aplikimit. Bazuar në rregullat e vendosura nga autoritetet amerikane që mbikëqyrin programin e lotarisë, gabimi më i vogël në aplikim, qoftë edhe i vetëm bën që kandidati të skualifikohet ndoshta edhe që në fazat e para të procesit. Për të evituar këto gabime, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) bën të ditur se cilat janë rregullat që duhet të ndiqen për të bërë një aplikim të rregullt si dhe rastet kur një kandidat skualifikohet. Pikësëpari, Departamenti Amerikan i Shtetit sqaron se në rast se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ. Për këtë arsye, ju mund të përgatisni regjistrimin për veten tuaj, ose mund që edhe dikush tjetër ta regjistrojë atë për ju. Mbas regjistrimit të suksesshëm, ju do të lexoni në ekran emrin tuaj dhe një numër unik identifikimi. Ju mund ta stamponi (printoni) këtë konfirmim për të dhënat tuaja. Duke filluar nga data 1 korrik 2010, ju mund të lexoni statusin e regjistrimit tuaj në internet, duke vendosur numrin unik të identifikimit tuaj dhe informacionin tuaj personal.
Fotografitë
Regjistrimi i fotografive është një tjetër rregull që duhet zbatuar me saktësi në aplikimin për Lotarinë Amerikane, në të kundërt aplikimi “digjet”. Sipas udhëzimeve të Ambasadës Amerikane, është e rëndësishme që të gjitha fotografitë e kërkuara të regjistrohen. Regjistrimi juaj do të skualifikohet në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen. Sakaq, fotografitë e kohëve të fundit duhen regjistruar elektronikisht për secilin nga pjesëtarët e familjes tuaj: fotografia juaj; e bashkëshortit/es tuaj; e çdo fëmije të pamartuar nën moshën 21 vjeç, duke përfshirë të gjithë fëmijët e natyrshëm, gjithashtu edhe fëmijët e adoptuar ligjërisht apo fëmijët e bashkëshortit/es, edhe në qoftë se një fëmijë është shkëputur nga banimi me ju ose nuk dëshiron të emigrojë me ju. Nuk është e nevojshme të regjistroni një fotografi për fëmijët tuaj me shtetësi amerikane ose me rezidencë të përhershme ligjore. Fotografi në grup nuk do të pranohen; duhet të keni vetëm një fotografi vetjake për çdo pjesëtar të familjes. Nëse dështoni të regjistroni fotografitë e kërkuara për bashkëshorten dhe secilin fëmijë do të rezultojë si regjistrim i papërfunduar në sistemin e regjistrimit të aplikimit, do t’ju duhet të riregjistroheni. Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju të intervistoheni për vizë. Një fotografi dixhitale e juaja, e bashkëshortit/es tuaj dhe secilit fëmijë duhet regjistruar në internet së bashku me Formularin Elektronik të DV-2011. Fotografia mund të prodhohet nga një aparat fotografik elektronik dixhital, ose duke e skanuar fotografinë me një skaner elektronik dixhital. Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, janë manipuluar ose nuk përmbajnë specifikimet e shpjeguara më poshtë.
Përzgjedhja
Për të sqaruar procesin e lotarisë, Ambasada Amerikane ka publikuar së fundi zyrtarisht udhëzimet e Lotarisë Amerikane 2011. Megjithëse procesi i aplikimit për Lotarinë 2011 ka nisur që më datë 2 tetor, për të përfunduar më 30 nëntor 2009, Ambasada Amerikane sqaron se aplikantët janë të lutur që mos të presin deri javën e fundit për të aplikuar. Sipas parashikimeve të specialistëve të programit të lotarisë, në ditët e fundit të aplikimit pritet që shumë persona nga e gjithë bota të aplikojnë, gjë që mund të vonojë aplikimin në internet. Ndërkohë që mbas orës 18:00 të datës 30 nëntor 2009, nuk do të pranohet asnjë aplikim. Gjatë kësaj periudhe aplikantët mund të plotësojnë formularin elektronikisht në faqen e internetit http:.dvlottery.state.gov/. Aplikimet me e-mail, postë apo faks nuk do të pranohen. Aplikantët fitues të Lotarisë Amerikane 2011 do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri midis të gjithë aplikimeve të kualifikuara. Aplikimet e përzgjedhura do të njoftohen me postë midis periudhës së muajit maj dhe korrik të vitit 2010 dhe do të pajisen me udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat mbi emigracionin në SHBA. Ata që përzgjidhen rastësisht nuk do të njoftohen me e-mail. Ndërsa personat që nuk do të përzgjidhen, nuk do të marrin asnjë lloj njoftimi, pasi ambasadat dhe konsullatat amerikane nuk do të japin një listë të aplikantëve fitues. Bashkëshortët dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç të aplikantëve fitues mund të aplikojnë për viza për të shoqëruar ose për t’u bashkuar me aplikantin primar. Vizat e Lotarisë DV-2011 do të lëshohen gjatë periudhës 1 tetor 2010 deri më 30 shtator 2011. Përpunimi i aplikimeve dhe lëshimi i vizave tek aplikantët fitues dhe pjesëtarëve të pranueshëm të familjes së tyre, duhet të ndodhë gjatë mesnatës së 30 shtatorit të 2011-ës. Mbas kësaj date, në asnjë rrethanë, nuk mund të lëshohet asnjë vizë e Lotarisë DV-2011, gjithashtu asnjë pjesëtar i familjes nuk mund të marrë vizat e Lotarisë DV-2011, për t’u bashkuar me aplikantin primar në SHBA mbas kësaj date. Për të mos rënë “pre” e mashtrimeve të ndryshme, Ambasada Amerikane sqaron të gjithë aplikuesit se për t’u regjistruar në programin e vitit DV-2011, nuk ka pagesë.
Aplikanti mund të aplikojë vetë duke plotësuar formularin elektronik në internet, pa pasur nevojën e një ndërmjetësi të paguar, i cili do të bëjë të njëjtën gjë.

Gabimet që ju skualifikojnë
Në qoftë se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ.
Në qoftë se nuk plotësoni formularin plotësisht, ose me gabime, aplikanti do të skualifikohet.
Në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen, regjistrimi juaj do të skualifikohet.
Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju të intervistoheni për vizë.
Në qoftë se nuk përfshini bashkëshortin/en, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
Në qoftë se nuk i përfshini të gjithë fëmijët, që janë të pranueshëm, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, janë manipuluar ose nuk përmbajnë specifikimet e duhura.

15 rregullat për regjistrimin elektronik
Kujdes! Mos shkruani germat shqip “ç”, “ǔ “ë”, “˔, por zëvendësojini me ato me “C” “c” “e”, “E”. Formularët e aplikimit për DV-2011 do të pranohen të plotësuara vetëm nëpërmjet internetit elektronikisht në faqen http:.dvlottery.state.gov. Në qoftë se nuk plotësoni formularin plotësisht, ose me gabime, aplikanti do të skualifikohet. Formulari i regjistrimit do t’ju kërkojë që të përfshini informacionin e mëposhtëm:
1. Emri i plotë - Mbiemri, emri, emri i mesit (jo i babait);
2. Data e lindjes - Data, muaji, viti;
3. Gjinia - Mashkull ose femër;
4. Qyteti i lindjes;
5. Shteti i lindjes;
6. Shteti i pranueshëm ose i kualifikueshëm për programin e Lotarisë DV-2010 - Vendi juaj i pranueshëm normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Kjo nuk ka lidhje me shtetin ku ju banoni.
7. Fotografia e regjistrimit - Sigurohuni që të përfshini fotografinë tuaj, të bashkëshortit/es dhe secilit prej fëmijëve.
8. Adresa e postës - Në kujdes të... rruga, lagjja, numri i pallatit ose shtëpisë, ose fshati/komuna, qyteti, shteti.
9. Numri i telefonit - Jo i detyrueshëm.
10. Adresa e postës elektronike (e-mail) - Shkruani një adresë të postës elektronike (e-mail) në të cilën ju keni akses të plotë dhe direkt. Ju nuk do të merrni një mesazh zyrtar përzgjedhjeje në këtë adresë. Gjithsesi, nëse aplikimi/hyrja juaj përzgjidhet dhe ju i përgjigjeni letrës zyrtare të marrë nga Qendra Konsullore në Kentaki (QKK), ju mund të merrni një mesazh komunikimi nga ata me e-mail.
11. Cili është niveli më i lartë i edukimit që keni arritur deri në këtë ditë? - Ju duhet të tregoni një nga nivelet e edukimit që ju përket: (1) Vetëm shkollë fillore; (2) Shkollë të mesme, i/e padiplomuar; (3) Shkollë të mesme, i/e diplomuar; (4) Shkollë profesionale; (5) Disa kurse universitare; (6) Universitet, i/e diplomuar; (7) Disa kurse me nivel pasuniversitar; (8) Master, i/e diplomuar; (9) Disa kurse me nivel doktorature; (10) Doktoraturë, i/e diplomuar.
12. Gjendja civile - I pamartuar, i martuar, i ndarë, i/e ve, ligjërisht i/e ndarë;
13. Numri i fëmijëve - Regjistrimet duhet të përfshijnë emrin, datën dhe vendin e lindjes të bashkëshortit/es tuaj dhe të gjithë fëmijëve natyralë, si dhe të gjithë fëmijëve ligjërisht të adoptuar ose të bashkëshortit/es, që janë të pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç (përveç fëmijëve që kanë shtetësi amerikane, ose që kanë rezidencë ligjore të përhershme), edhe në qoftë se ju nuk jeni më i martuar ligjërisht me prindin e fëmijës, edhe në qoftë se bashkëshortja apo fëmija nuk banojnë me ju apo nuk do të emigrojnë me ju, duhen përfshirë. Vini re se fëmijët e martuar dhe fëmijët mbi moshën 21 vjeç nuk mund të përfshihen, sepse nuk kualifikohen për programin e Lotarisë Amerikane DV-2011. Në qoftë se nuk i përfshini të gjithë fëmijët, që janë të pranueshëm, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
14. Informacioni mbi bashkëshortin/en - Emri, data e lindjes, gjinia, qyteti i lindjes, vendi/shteti i lindjes, fotografia. Në qoftë se nuk përfshini bashkëshortin/en, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
15. Informacioni mbi fëmijët - Emri, data e lindjes, gjinia, qyteti i lindjes, vendi/shteti i lindjes, fotografia: Përfshini të gjithë fëmijët e deklaruar në pikën 14.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›