E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri penalizon ish-ushtarakët për pagesën kalimtare



Laureta Rryçi
Qeveria ka lënë në mëshirë të fatit dhjetëra familje ish-ushtarakësh dhe ish-policësh. Një vendim qeverie i mban peng prej tre muajsh këto familje, duke i lënë ato pa përfituar pagesën kalimtare që përfitonin deri në fillim të këtij viti. Kjo kategori ish-ushtarakësh dhe ish-policësh kanë humbur detyrën për shkak të reformave dhe, sipas ligjit, shtetit i duhej të kujdesej për një kohë të gjatë me një trajtim financiar për këta persona. Mirëpo, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për këtë kategori, asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta tërheqë këtë pagesë. Ish-ushtarakët kanë parë si zgjidhje të vetme t’i drejtohen Avokatit të Popullit për t’i ndihmuar që të vihen në lëvizje institucionet përkatëse shtetërore. Dobjani, pasi është njohur me këtë problem, nuk ka ngurruar të bëjë verifikimet e duhura. Më pas ai ka përpiluar një rekomandim zyrtar që i drejtohet jo vetëm kryeministrit, por edhe ministrave që drejtojnë ministritë ku punonin ankuesit. Sipas Dobjanit, në mënyrë të menjëhershme duhet të përgatitet projekti “Për pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën” dhe dërgimin e tij për miratim në Këshillin e Ministrave.
Ankesat
Sipas Avokatit të Popullit, në institucionin që ai drejton janë bërë dhjetëra ankesa nga ish-punonjës policie apo ish-ushtarakë, të cilët janë nxjerrë në lirim për shkak të reformës së bërë në Policinë e Shtetit apo edhe në radhët e Forcave të Armatosura. Sipas pretendimeve që ata kanë ngritur, pas nxjerrjes në lirim, ata janë trajtuar me pagesë kalimtare deri më 30 qershor 2009. Trajtimi i tyre financiar deri në këtë datë është bërë në bazë të Ligjit Nr. 8661, dt.18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Pas muajit qershor atyre u është ndërprerë pagesa kalimtare për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit të ri Nr. 10142, dt.15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij ligji të ri, kësaj kategorie u është ulur koha e trajtimit me pagesë kalimtare nga tre në dy vjet.
Problemi
Pas ndërprerjes së pagesës kalimtare, meqenëse ankuesit i plotësonin kriteret ligjore për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kanë plotësuar e dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar këtë pension. Mirëpo, megjithëse dokumentacioni i tyre është dërguar në institucionet përkatëse, të prekurit nga reforma nuk janë trajtuar me pagesë për më shumë se tre muaj. Gjithashtu, ankuesit kanë shkruar se për shkak të mospagesës ata janë vënë në vështirësi financiare. Dikush prej tyre ka marrë kredi në bankë dhe nuk ka të ardhura për të shlyer këstet e saj, ndërsa disa të tjerë nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash në familje për të jetuar.
Zgjidhja
Në rekomandimin zyrtar që Dobjani ka përgatitur për kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, thuhet se në bazë të kërkesës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përgjigjen për ketë shqetësim të ngritur nga ankuesit ka sqaruar se kjo kategori ish-punonjësish të Policisë nuk është trajtuar akoma me pension të parakohshëm, sepse në bazë të paragrafit 2 dhe 3 të Nenit 4, të Ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit,të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, për të përfituar nga ky ligj duhet të përcaktohet paga referuese. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Avokati i Popullit ka nënvizuar në rekomandimin e tij se mospagimin e kësaj kategorie personash për një periudhe kohore për më shume se tre muaj dhe për më tepër kur nuk dihet akoma se kur do të rifillojë pagimi i tyre, e konsideron si një qëndrim të padrejtë të organeve të administratës publike dhe njëkohësisht si shkelje të të drejtave të tyre ekonomiko-financiare të parashikuara ne ligj dhe konkretisht në nenet 7, germa “d”, 13 dhe 14 të Ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009. Madje Dobjani i ka kujtuar kreut të qeverisë se nxjerrja e këtij akti nënligjor nga Këshilli i Ministrave është edhe një detyrim i parashikuar në Nenin 30 të këtij ligji. Me qëllim që të mos krijoheshin pengesa në zbatimin e ligjit, VKM-ja duhet të ishte nxjerrë menjëherë pas hyrjes në fuqi të tij, më dt. 28.06.2009.

Nenet që penalizuan të prekurit nga reformat
Neni 2
Përfitues, sipas këtij ligji, janë:
1. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë, nënoficerë, studentë ushtarakë dhe kursantë për nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie.
2. Punonjësit e Policisë së Shtetit kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).
3. Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentët dhe ushtarët, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion, në pritje për riemërim në detyrë dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 8869, datë 25.3.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo që kanë dalë në pension.
4. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, në marrëdhënie pune me këtë shërbim, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.
5. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).
6. Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.
7. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
8. Anëtaret e familjeve të personave të përmendur në pikat 1-7 të këtij neni.
Neni 3
Vjetërsia në shërbim
1. Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në Ligjin Nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”; në Ligjin Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”: në Ligjin Nr.8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; në Ligjin Nr. 9357, datë 17.3.2005 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, Ligjin Nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, Ligjin Nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin” dhe Ligjin Nr. 10002, datë 6.10.2008 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.
2. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet.
3. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.
4. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe:
a) koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;
b) koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas Ligjit Nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
5. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1,5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Paga referuese
1. Përfitimet që jepen nga ky ligj llogariten në bazë të pagës referuese.
2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi.
Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›