Berisha urdhron ministrat: Deri të premten të gjenden fondet për vizat
Qeveria do t’i dërgojë në datë 18 qershor, Brukselit zyrtar edhe vlerën monetare që do të përdoret nga ana e saj për implementuar pika të veçanta udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ishte kryeministri Berisha i cili në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave kërkoi nga të gjitha institucionet dhe ministritë përgjegjëse, por kryesisht nga Ministria e Financave që deri në fundjavë të bëjnë gati shpërndarjen e fondeve në institucionet e tyre, në mënyrë që të përcaktohej një vlerë e saktë mbi atë që qeveria kishte në dispozicion për të zbatuar edhe kërkesat e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Në mënyrë të veçantë kryeministri theksoi se kërkohet një kosto e saktë e asaj çfarë qeverisë i duhet për të impementuar edhe startegjinë e rikthimit të atyre personave të cilat pas liberalizimit të vizave do të kërkojnë të qëndrojnë në një vend përtej afatit të caktuar. “Eshtë e domosdoshme që deri ditën e premte të gjitha agjencitë, që kanë lidhje direkt me këtë Strategji, të parashikojnë kostimin, që jo se nuk është parashikuar, por të parashikohet një kostim edhe më i saktë”, deklaroi Berisha. Po kështu ai njoftoi, se Komiteti Ndërministror për Masat kundër Krimit të Organizuar Trafiqeve dhe Terrorizmit do të jetë institucioni kryesor i cili do të zbatojë strategjinë e të rikthyerve. Kryeministri theksoi gjithashtu se sot duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë edhe fondi që do të përdoret nga Agjencia Europiane e Sigurisë së Kufijve dhe sektori i menaxhimit kriminal. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, Berisha kërkoi që në vend të bëhej më shumë sensibilizim në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që do të shoqërojnë qytetarët shqiptarë pas liberalizimit të vizave. “Duhet ta intensifikojmë sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë mbi domethënien e heqjes së vizave, çfarë ata përfitojnë dhe çfarë nuk mund të bëjnë. Unë kam konstatuar se janë spotet televizive, ndoshta duhet t’u kërkohet edhe mediave lokale që t’i transmetojnë ato me një çmim simbolik, por, nëse dëshirojnë edhe falas”, deklaroi Berisha, duke shtuar se informimi i publikut në këtë proces ishte i domosdoshëm. Nga ana tjetër zëdhënsia e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu deklaroi dje në konferencë për shtyp se qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ku konfirmohet vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Në këtë kuadër Bregu siguroi se qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimmarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve që është lëvizja e lirë në Evropë.
#