Përgjimet e koncesionet, sot debati në komisione
Komisioni i Ligjeve do të miratojë sot ligjin për “Koncesionet”. Ky ligj ka për objekt krijimin e një agjencie të posaçme, e cila do të ushtrojë kompetencat në fushën e koncesioneve. Drafti i paraqitur nga qeveria parashikon që ky institucion të ishte një person juridik, në varësi të Kryeministrit, por në mbledhjen e mëparshme të Komisionit të Ligjeve, deputetët e maxhorancës këmbëngulën që të kthejnë në një ent publik. Ndërsa përplasja ndërmjet deputetëve të maxhorancës është kryer në lidhje me kompetencën që ka Agjencia e Koncesioneve, për të gjobitur në rast se vërehen shkelje. Kryekomisioneri Ilir Rusmali u shpreh se nuk mund t’i vihet një gjobë një ministri, për shkak se është konstatuar shkelje, pasi Agjencia nuk është një institucion më i lartë se ai i ministrit. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi tha se: “Po të ecët mbi bazën e kësaj logjike, i bie që të gjobitësh Parlamentin për koncesionin e dhënë, Kryeministrin, ndoshta dhe Presidentin që firmos”. Diskutimi i këtij ligji në komisionet kuvendore ka ngjallur edhe reagimin e opozitës. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, tha pak ditë më parë në një konferencë për shtyp se në vend po instalohet shteti i çimkave. “Shtimi i “çimkave” dhe i përdoruesve të tyre argumentohet me nevojën e luftës kundër korrupsionin në shtëpinë e çdo ministrie dhe në atë të financave. Këto argumente ngrihen në një kohë kur Qeveria trumbeton më të madhe se ka qenë e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, se respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe se bizneset në Shqipëri kanë një atmosferë mjaft të mirë për t’u zhvilluar”, tha deputetja e PS-së. Një tjetër ligj që pritet të shqyrtojë Komisioni i Ligjeve është ai “për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Ndërkohë Komisioni i Ekonomisë do të marrë në shqyrtim disa ndryshime në ligjin “Për prokurimin publik”. Këto ndryshime parashikojnë përfshirjen e dikasterit të financave tek organet që mund të bëjnë përgjime mbi veprimtarinë e punonjësve të tatimeve dhe doganave, për të siguruar të dhëna të domosdoshme mbi realizimin e detyrave të tyre ligjore. Komisionet e përhershme parlamentare, që prej ngritjes së tyre kanë zhvilluar punimet pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët vazhdojnë bojkotin e Kuvendit duke e kushtëzuar pjesëmarrjen në këtë institucion me hetimin dhe transparencën ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit.