Berisha uron studentët dhe pedagogët me rastin e fillimit të vitit akademik 2009-2010

Kryeministri Berisha ishte sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Kamzë, për të uruar të gjithë studentët dhe pedagogët e shkollave të larta në vend, me rastin e fillimit të vitit akademik 2009-2010.
Fillimisht, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me studentë, pedagogë dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik të këtij universiteti, të cilët i uroi për këtë fillim viti dhe i garantoi për mbështetjen e plotë të qeverisë në suksesin e tyre.
Më pas, Kryeministri mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e shtesës së godinës së Fakultetit Ekonomik dhe Agrobiznes, një investim me vlerë 240 milionë lekë. Kryeministri u shpreh se ky universitet ka një peshë të madhe në jetën akademiket vendit, në fushën ekonomike në tërësi dhe në fushën kërkimore. “Unë dua të garantojë pedagogët
dhe studentët se në përparësinë e programeve tona është dhe kampusi i këtij universiteti, si dhe modernizimi i gjithë veprimtarisë së tij”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, rektori i Universitetit Bujqësor prof. dr. Fatos Harizaj u shpreh se ky universitet, unik në llojin e vetë në vend, mbështet të gjitha iniciativat e qeverisë në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, si dhe kërkon të bëhet pjesë e pandarë e procesit të integrimit, të këtij sektori jetik të ekonomisë, në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij, zoti Harizaj u shpreh se vetëm gjatë këtij viti shuma e investimeve në Universitetin Bujqësor është 4 milionë e 500 mijë dollarë
Në këtë aktivitet, kryeministri Berisha shoqërohej edhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj.
Fjala e plotë e kryrministrit Berisha
I nderuar zoti ministër i Arsimit,
I nderuar zoti rektor, Prof. Dr. Fatos Harizaj,
Të nderuar pedagogë dhe profesorë të këtij universiteti,
Të dashur studente dhe studentë,
Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes ju në këtë ditë të rëndësishme për universitetin tuaj, për botën akademike shqiptare, për vendin në tërësi, fillimin e vitit të ri akademik 2009-2010.
Ju uroj suksese dhe ju garantoj se arsimi universitar dhe arsimi në tërësi përbën një përparësi madhore konstante të qeverisë time. Shpreh kënaqësi të madhe që këtë vit në bankat e universitete publike të vendit ulen për herë të parë 30 mijë vajza dhe djem. Kjo përbën një zhvillim madhor dhe një investim të madh që ne bëjmë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Vitin e kaluar, ne mbi dyfishuam numrin e studentëve, por brenda vitit 2013 ne do t’i afrohemi trefishimit të këtij numri. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të rrisim rekrutimin nga shkollat e mesme në universitete. Ky rekrutim ka kapur standardin evropian, 39-40 për qind, por ne nuk duhet të jemi të kënaqur. Në rast se Gjirokastra udhëheq me mbi 50 për qind, qytete dhe zona të tjera të vendit duhet të arrijnë standardin që kemi në Gjirokastër për ndjekjen e shkollave të larta nga ata që mbarojnë shkollat e mesme.
Qeveria është e vendosur të mbështesë fuqishëm veprimtarinë tuaj kërkimore shkencore dhe po kështu të universiteteve të vendit. Qeveria është e vendosur të dyfishojë apo trefishojë investimet, në mënyrë që ju të keni kampusin më modern, laboratorët më modern dhe komunikimin më intensiv me botën akademike evropiane dhe atë botërore.
Dua të theksoj se për qeverinë time, universiteti juaj ka një rol të veçantë. Ne kemi një program qeverisës ambicioz. Ne jemi zotuar se gjatë këtyre katër viteve do të asfaltojmë shtatë mijë kilometra rrugë të tjera dhe autostrada. Ne jemi zotuar se do të ndërtojmë në çdo fshat të vendit infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit. Ne do të ndryshojmë në mënyrë rrënjësore sistemin e vaditjes, do të liberalizojmë vizat dhe do të ecim me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian. Ne do të mbjellim 20 milionë rrënjë ullinj.
Por, unë dua t’ju them se objektivi më ambicioz dhe më i vështirë për t’u realizuar, ku ne llogarisim shumë në ndihmën tuaj, është dyfishimi i prodhimit bujqësor në Shqipëri brenda gjashtë viteve. Ky është një interes jetik kombëtar dhe një potencial madhor për t’u shfrytëzuar. Shqipëria i ka të gjitha kushtet për ta dyfishuar dhe mbidyfishuar prodhimin e saj bujqësor dhe blegtoral. Shqipëria është vendi i biodiversitetit më të lartë në Evropë. Shqipëria është vendi i ujërave më të pasura në rajon, i tokës më pjellore dhe i kullotave më të mira. Shqipëria ka nevojë për mbështetje të fuqishme tuajën, në mënyrë që ato projekte që nisëm me ullirin ne t’i shtrijmë në të gjitha fushat me ambicien për të dyfishuar dhe mbidyfishuar prodhimin, si një kusht vendimtar për të zhvilluar vendin, për të luftuar varfërinë, për të punësuar shqiptarët dhe për të rritur mirëqenien e tyre. Kjo objektivë arrihet nëpërmjet studimeve serioze shkencore dhe ju jeni think tank-u më i madh i vendit, ju jeni institucioni bazë, i cili mund të ndërmarrë projekte studimi, kërkimi dhe prodhimi në të gjitha fushat.
Nuk duhet të harrojmë se ka fusha të rëndësishme prodhimi, në të cilat jemi vetëm në fillime. Ne kemi kapur projektin e ullirit, por po me kaq forcë mund të kapim arrën, lajthinë, bletën, kërpudhën. Ne jemi vend me potenciale të jashtëzakonshme dhe jemi vetëm në fillimin e tyre. Ne jemi një vend një vend që ka një klimë të përshtatshme për bimët aromatike, që nga prodhimi i bananes në Sarandë e deri te boronica në alpe. Mund të shfrytëzojmë në një mënyrë shumë më racionale potencialet e saj.
Ndaj, unë ju them se më i vështiri për ne është objektivit i dyfishimit të prodhimit, por është një objektiv absolutisht i arritshëm. Ju ftoj të punojmë së bashku dhe ju garantojmë se do të mbështesim çdo projekt tuajin, kërkimor, prodhimi apo të çdo natyre që të jetë. Ju duhet të krijoni shembuj, të krijoni modele dhe duhet të keni guxim për projektet tuaja. Është e vështirë të dështosh në një projekt në Shqipëri, me këtë pasuri përrallorë që ka për fushën tuaj.
Unë dua të përgëzoj rektorin dhe të gjithë ekipin drejtues të këtij universitetit për seriozitetin që ka dëshmuar në realizimin e investimeve. Kjo është në detyrën e tij, por këtë detyre e ka përmbushur më mirë së të gjithë të tjerët. Unë nuk dua ta fsheh, ka qenë shumë e hidhur për mua kur investimet në universitete në vitin 2007 kishin realizimin më të ulët në Shqipëri. Ne dyfishuam apo trefishuam fondet dhe ato mbetën para në letër. Ndaj duhet të zhvilloni kapacitetet investuese dhe duhet të zhvilloni kapacitetet kërkuese. Ne do të financojmë projektet tuaja, cilatdo qofshin ato për kampuse, për studime, për kërkime, në çdo fushë.
Zoti rektor,
Do të ishte në nderin e këtij universiteti të jepte kontributin e tij në ngritjen e shkollave të mesme bujqësore, në të cilat ne duhet të synojmë të shkëpusim fermerin shqiptar nga praktikat që nuk janë në rendiment dhe të marrin ato që qëndrojnë. Janë një seri praktikash në prodhimin bujqësor dhe blegtoral që duhen harruar dhe duhen arkivuar në kohërat e shkuara.
Një angazhim shumë më të madh do të prisja nga ju në fushën e certifikimit. Askush më mirë se ju nuk mund t’i japë përgjigje këtij problemi jetik për fermerin shqiptar, i cili prodhon produkte të mrekullueshme, shumica e tyre Bio, të cilat mbeten dhe nuk kapin vlerën e duhur për shkak të mungesës së certifikimit, për shkak të mungesës së vlerësimit të standardeve apo për shkak të mosarritjes së standardeve. Qeveria do t’ju mbështesë ju në të gjitha përpjekjet për të ngritur rrjetin e fuqishëm të certifikimit, publik apo privat qoftë. Ne duhet t’i ofrojmë fermerëve tanë mundësinë e certifikimit, për ndryshe ata do t’a kenë shumë të vështirë që të konkurrojnë në një Evropë me subvencione gjigante në fushën e bujqësisë.
Ka qenë dhe mbetet bindja ime e thellë se shtrirja e arsimit të lartë është jetike për vendin dhe se ky sistem duhet të dilte nga kufizimet e tij të paarsyeshme. Ndaj, hapja e tyre universiteteve është një praktike shumë pozitive. Inkurajimi i universiteteve private është një praktikë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse mobilizon fonde nga sektori privat, i cili është dhjetëra apo qindra herë më i pasur dhe më i fuqishëm, në rrafshin financiar, sesa sektori publik.
Natyrisht, ne jemi të vendosur të rendim pas cilësisë. Ministria e Arsimit po merret shumë seriozisht me angazhimin e kompanive të më mira për rating-un e universitete, për rating-un e fakulteteve, qofshin ato publike apo private. Pra, është e domosdoshme që të shtojmë cilësinë si normën e të gjithë punës tonë.
Duke mbyllur fjalën time, dua të uroj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, ata që ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve, ata që janë në vazhdim të studimeve, të gjithë pedagogët, profesorët, drejtuesit e fakulteteve të universiteteve, një vit të mbarë shkollor dhe i garantoj për mbështetjen e plotë të qeverisë time në suksesin e tyre“.
...