Në 24 orët e fundit vetëm në Tiranë 10 të arrestuar për vepra të ndryshme penale

Të paktën 10 persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Qarkun e Tiranës, si autorë të dyshuar të disa ngjarjeve kriminale, si vjedhje, plagosje, shpërndarje narkotikësh etj. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Tiranë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasin Lulzim Mataj, 54 - vjeç, pasi në ambjentet e banesës së tij, në Kombinat, dyshohet se ka plagosur, duke goditur me armë të ftohtë thikë, për motive të dobta, bashkëshorten e tij, shtetasen Suzana Mataj, 40 vjeç. Gjithashtu, forcat e policisë mundësuan ndalimin e shtetasit në kërkim për "moskallzim krimi", Besmir Alia, 23 - vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Paskuqan Tiranë. Ndërsa, specialistët e seksionit Kundër Narkotikëve arrestuan në flagrancë me një sasi lënde narkotike shtetasin Aleksandër Hoxhallari, 27 - vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Siç bëhet e ditur nga Policia e Tiranës, janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, nga të cilët një i mitur, për veprat penale të "vjedhjes" dhe "armëmbajtjes pa leje". Çështjet në fjalë i kaluan për hetime të mëtejëshme organit të Prokurorisë.
...