Topi: Shkollat e larta në Shqipëri të shkojnë drejt standardeve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e parë të hapjes së vitit të ri akademik 2009-2010 bëri thirrje që universitetet në vend, publike dhe private, të përmbushin standardet e Kartës së Bolonjës. Presidenti Topi ishte i pranishëm sot në mëngjes në ceremoninë e nisjes së vitit të ri shkollor në Akademinë e Arteve. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar studentëve dhe pedagogëve të kësaj shkolle, z. Topi kërkoi nga institucionet e larta të sistemit arsimor, qofshin ato publike apo private, që të rrisin kualitetin e punës dhe diplomave të tyre. "Shkollat e larta dhe sidomos ato jopublike duhet të sinkronizojnë punën që të shkojmë drejt standardeve edhe në nivel kombëtar, që do të thotë që Universitetet në Shqipëri duhet të shkojnë drejt kualiteteve dhe nuk duhet ta shpërdorojnë çertifikimin që iu bëhet", tha Presidenti. Duke u ndalur tek procesi i integrimit në BE, z. Topi tha se në këtë rrugë ne duhet të marrim parasysh dhe vlerat e Akademisë së Arteve, një shkollë me shumë tradita, që ka nxjerrë artistë të spikatur të krahasueshëm me personalitetet botërore në fushën e artit dhe që kanë nderuar kulturën tonë kombëtare. "Integrimi është një proces që e dëshiron gjithsecili, po besoj se kjo Akademi me ata aktorë, instrumentistë dhe zëra të mëdhenj që kanë dalë nga tempull janë integruar me kohën. Por, jo vetëm kaq, por ata kanë qenë krenaria jonë kombëtare, sepse kanë qënë në mjaft raste jo vetëm të krahasueshëm me personalitetet e artit botëror, por ndërkohë dhe të pakrahasueshëm. Ndaj, ky integrim që ne duam ta realizojmë sa më shpejt duhet të marrë në konsideratë dhe vlerat e kësaj shkolle", theksoi Presidenti i Republikës.
Edhe Partia socialiste uroi sot studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik
Deputetja e PS-së, Ledi Shamku tha gjatë një konference për shtyp se, “sot mbi 30 mijë djem e vajza nga e gjithë Shqipëria nisin rrugën e shkollimit të lartë, me ambicien dhe vullnetin për t’u bërë burra e gra të zot për veten, familjen dhe krejt shoqërinë”. Përfaqësuesja e Selisë Rozë, Ledi Shamku, shtoi më tej se, “ Partia Socialiste është sot në krah të këtyre të rinjve, të cilëve do t’u duhet të përballen me vështirësi jo të vogla si pasojë e rrënimit të sistemit universitar, e si pasojë e mungesës së respektit të shtetit ndaj ëndrrës dhe investimit të tyre”. Rreth 30 mijë studentë nisën sot për herë të parë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve, ndërkohë që numri i përgjithshëm i studentëve për këtë vit akademik arrin në mbi 100 mijë.
...