REPORTAZH/ Nga kolegjet mesjetare te universiteti modern
Rruga "Taulantia" ka rifituar sot në mëngjes gjallërinë që i japin çdo vjeshtë studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu". Reshjet e shiut që mungonin prej disa javësh në qytetin bregdetar nuk i penguan qindra studentë thuajse nga i gjithë vendi, ti drejtoheshin auditoreve të institucionit universitar që hapi dyert në nëntor të vitit 2005. "Kam qenë me fat, pasi nuk iu largova shtëpisë,- tha Mirjana. 20-vjeçarja nga Durrësi,që banon vetëm 300 metra larg godinës 4-katëshe, që shërben si korpus qendror për Universitetin e Durrësit. Ajo ka zgjedhur degën e anglishtes në fakultetin e Edukimit dhe në dy vitet e para të studimeve ,bashkë me leksionet, ka mundur të punojë katër orë në ditë në një qendër performance telefonike. "Ne mund ti përzgjedhim edhe në këtë sezon akademik oraret e leksioneve, të cilat vijojnë nga ora 8.00-20.00,-shton Mirjana,- sipas së cilës studimet e kombinuara me punën i kanë krijuar mundësi, "të jetë e pavarur financiarisht nga familja dhe të mendojë më seriozisht për të ardhmen. Mirjana ka mësuar se së shpejti universiteti i Durrësit do të aplikojë edhe nivelet e para dhe të dyta master dhe shprehet se, gjuha e huaj që po mëson jo vetëm me pedagogë vendas ,do ti shërbejë me siguri edhe për studimet pasuniversitare. Qyteti 3000-vjeçar ka lënë pas gjallërinë e sezonit turistik, duke e zëvëndësuar me harenë që krijojnë të rinjtë studentë, gjithnjë e më të shumtë në numur. Çdo ditë grupe të mëdha 20-vjeçarësh nga qendra e qytetit kalojnë pranë amfiteatrit dhe mureve mesjetare për t’ju drejtuar altarit të dijes. Durrësi, qyteti më i vjetër, në bregun lindor të detit Adriatik ,vazhdon të mbijetojë gati 3 mijë vjet pas themelimit edhe falë dashurisë së paraardhësve bashkëqytetarë për kulturën. Studiuesi Hasan Ulqini në librin e tij "Dhe Krisht, dhe mëkatar" shkruan se:" në statutet e hershme të qytetit janë dokumentuar dëshmi, të cilat provojnë se Durrësi në shekullin e 13-të ka patur "un Colleggio fiorente"-një shkollë të lartë të lulëzuar-, në të cilin jepnin mësim pedagogë nga Bolonja dhe Padova, dy qytetet italiane me universitetet më të vjetra të botës. Kur në Durrës u përurua biblioteka e parë publike në shekullin e 3-të të erës sonë, për nder të kësaj ngjarjeje në amfiteatër u zhvilluan gara dhe ndeshje të mëdha,-shkruan studiuesi Ulqini. Bashkëpunimet ndërkombëtare të universitetit që ka rifilluar pas disa shekujsh janë më të gjëra dhe përveç vendeve të Evropës, përfshijnë edhe disa universitete në SHBA. Për fakultetin e Studimeve të Integruara me praktikën FASTIP që nis vitin e dytë të leksioneve, gjithçka është realizuar në bashkëpunim të plotë me universitetet e ngjashme të Gjermanisë.Ndërsa çdo javë pasdite do të vijojë cikli i bisedave "Pema e dijes", ku bashkëbisedohet me personalitete vendase dhe të huaja për tema interesante që nga Bashkimi Evropian deri te ngrohja globale. Oborri i universitetit është mbushur sot me studentë që ulen për herë të parë në auditore. Suela nga Tepelena ka ardhur së bashku me babain. Ajo është regjistruar në degën e infermierisë në Shkollën e lartë profesionale dhe sot ka marrë të gjithë informacionet, lidhur me oraret dhe klasat ku do të zhvillohen leksionet. "Do të jetë më mirë të sistemohet në zonën e Shkozetit, atje ku ndodhet shkolla "Beqir Çela"-thotë babai i Suelës, e cila ndërkohë ka njohur disa nga shoqet e kursit të saj. Fatjoni nga Mirdita gëzohet kur mëson se kursi i vitit të dytë për specialistët e rrjeteve kompiuterike do të zhvillohet në korpusin qendror të universitetit. "Bashkë me dy shokë të tjerë ne kemi prenotuar një banesë me qera pranë spitalit, por do të shohim një mudësi sistemimi në lagjen nr 1-thotë ai, teksa njihet edhe me oraret e leksioneve. Banesat e reja pranë shëtitores Taulantia" nga torra Veneciane deri në zonën e Currilave janë më të kërkuarat në këtë sezon,-tregon Albana, që drejton një agjenci immobiliare. Afro 2800 studentë kanë këruar këtë vit akomodime në banesa private, pasi universiteti nuk ka konvikt. Këto ditë në pallatet buzë rrugës kanë hapur dyert edhe tre njësi të shërbimit të internetit si dhe një librari e re shkollore,-shton Albana. Numri i studentëve në universitetin e Durrësit është rritur çdo vit dhe për sezonin 2009-2010 do të njihet përfundimisht në fund të muajit tetor, kur të shpallen listat e fundit për studentët e vitit të parë. Por me siguri këtë vit në auditore do të ulen mbi 4100 studentë gjithsej,-thonë burimet e rektoratit.
...