E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon me Kalmarin

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 11:14

Etrit Berisha do ta vazhdojë eksperiencën e tij me Kalmarin. Portieri kosovar do të nënshkruajë kontratë të re trevjeçare me klubin suedez, ku planifikon të qëndrojë për një kohë të gjatë.

“Kam vendosur, jam mjaft i lumtur këtu në Kalmar. Kanë mbetur edhe disa detaje të vogla, por kontratën do ta nënshkruaj shumë shpejt”, ka thënë fillimisht ai për ueb faqen suedeze fotbolldirekt.se.

– “Kam menduar mirë dhe kam vendosur që të vazhdoj të luaj këtu edhe për disa vite”, shtoi Berisha i cili do ta nënshkruajë kontratën brenda kësaj jave.

21 vjeçari pati paraqitje të shkëlqyeshme me Kalmarin gjatë sezonit të kaluar, por ai ndërkohë kishte një lëndim dhe u detyrua ta bënte një intervenim kirurgjik në muajin nëntor.

Tash portieri kosovar po punon për ta rikthyer formën më të mirë. “Nuk kam qenë në gjendje të ushtroj shumë gjatë pauzës, kështu që më nevojitet kohë për ta rikthyer formën. Por, nuk nevojitet shumë kohë. Megjithatë, pres që të jem në gjendje të luaj në La Manga në pjesën e dytë të muajit shkurt”, përfundoi Berisha.

Së fundmi, Kalmarit i janë bashkuar edhe dy futbollistë të tjerë kosovarë: Alban Dragusha e Liridon Leci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›