Berisha vendos kontroll financiar mbi OJF-të dhe shoqërinë civile
Qeveria krijon me vendim dy standarde të ndryshme për OJF-të. Qeveria shqiptare ka marrë dje një vendim të detajuar për mënyrën e funksionimit të OJF-ve në marrëdhëniet e tyre të “biznesit” në rastet kur ato blejnë dhe shesin mallra për qëllime bamirësie. Ky vendim paracakton një procedurë të detajuar për kontrollin dhe parametrat që duhet të plotësojë OJF-ja që dëshiron të operojë në një mjedis tregtar, ndërsa paralelisht kryeministri Berisha ka trumbetuar dje se edhe vetë qeveria do të “ketë OJF-të e saj”, të cilat do t’i financojë duke krijuar automatikisht nga njëra anë “kërbaçin”(ligjin) dhe nga ana tjetër “fondin special” për ato OJF që qeverisë do t’i duken “profesionale”. “Ne jemi të vendosur që çdo vit të përcaktojmë fonde për shoqërinë civile. Por shpërndarja e fondeve ka karakter delikat. Kjo shpërndarje nuk duhet të cenojë kurrsesi autonominë e plotë dhe të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile”, - tha kryeministri. Kryeministri nënvizoi se duhet t’u jepet përparësi atyre organizatave që përballen direkt me qeverinë, me administratën, përsa i përket korrupsionit. “Qeveria jonë është dhe do të jetë e gatshme për këtë gjë. Sot, në luftën kundër korrupsionit, shoqëria civile po bëhet faktor kryesor”, - u shpreh kryeministri. Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë përcakton disa kritere shumë rigoroze për të gjitha OJF-të (përfshirë dhe ato që nuk do të financohen prej qeverisë) duke krijuar kështu mundësinë e krijimit të dy standardeve paralele. “Çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, që ato furnizojnë, janë jo më pak se 50 për qind më të ulëta se çmimet e tregut të zonës, ku ofrohet malli/shërbimi ose kur i ofrojnë këto shërbime a mallra falas. Vlera e tregut përcaktohet në bazë të metodave të përcaktuara në Udhëzimin Nr. 24, datë 2.9.2008, të ministrit të Financave, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’. Të ardhurat nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve mbulojnë, minimalisht, jo më shumë se 50 për qind të kostos së ofrimit të mallit/shërbimit dhe pjesa tjetër duhet të mbulohet nga donacionet, kontributet dhe të ardhura të tjera të OJF-së”, - shkruhet në vendimin e qeverisë për OJF-të, ndërsa tashmë të gjitha OJF-të që implikohen sadopak në blerje apo import mallrash për bamirësi duhet të kenë të deklaruara bilancet, financimin dhe një sërë dokumentesh të tjera që vërtetojnë misionin e tyre të pretenduar në statut. .
25 Dhjetor 2008