PDS: Presidenti Topi të mos dekretojë ligjin e dosjeve
Partia Demokracia Sociale mbështet qëndrimin e qeverisë amerikane dhe asaj britanike, Pranisë së OSBE-së në Tiranë dhe Këshillit të Europës, lidhur me ligjin për kontrollin e figurave dhe hapjen e dosjeve. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, dënoi qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare, e cila vendosi të votojë me kokëfortësi një ligj mjaft të kontestuar nga partnerët ndërkombëtarë. “Kërkesat e tyre për shtyrjen e miratimit të ligjit në Kuvend ranë në veshin e shurdhët të një qeverie, që tashmë mendon vetëm se si do t’u shpëtojë proceseve gjyqësore të ngritura për korrupsion. Sali Berisha po rikthehet në qëndrimet dhe ashpërsinë e 12 viteve më parë, kur injoroi kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. PDS është gjithashtu e shqetësuar se qeveria e kryeministrit Berisha po rrezikon në mënyrë serioze marrëdhëniet me partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë ndihmën kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ecjen drejt Bashkimit Europian. Me sjelljen prej kryeneçi, Berisha mendon se mund t’i sfidojë të gjithë, duke harruar në fakt se koha e fanareve tij ndriçues ka perënduar”, - tha Duçkollari. Në emër të PDS—së, ai i bëri thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të mos dekretojë ligjin e dosjeve. “Në të njëjtën kohë, Partia Demokracia Sociale i kërkon dhe beson se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të kthejë sërish në Kuvend ligjin e miratuar vetëm me votat e njerëzve të Berishës, pasi ai përmban përplasje serioze me Kushtetutën. Presidenti i Republikës, duke kthyer ligjin në Kuvend, duhet t’i japë një mundësi reflektimi Sali Berishës, i cili me verbëri nuk po dëgjon as opozitën dhe as faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë.
25 Dhjetor 2008