E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët: Faktet që pohojnë se Fazlliçi ka pastruar para në Shqipëri

Pas hetimeve ka rezultuar se prona në Durrës është blerë nga kompani pa kapitale. Transferta e dyshimtë mes bankave shqiptare drejt atyre të Zyrihut

Laureta Rryçi

Prokuroria shqiptare hedh dyshime të forta se serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Tiranës, prokurorët e çështjes paraqitën disa prej fakteve që kanë mundur të grumbullojnë gjatë hetimeve, sipas të cilave, Fazlliçi ka blerë dy prona në Durrës dhe në Porto Romano, në vlerën e 1.7 milionë eurove dhe sipas investigimeve, të dyja kompanitë nuk zotërojnë asnjë kapital. Bëhet fjalë për dy kompanitë, “Croun asquisiton” dhe “Alfa”, që sipas verifikimeve të bëra nga Prokuroria, nuk kanë asnjë kapital.
Hetimet
Një prej prokurorëve të çështjes, Besnik Cani, tha se kishin zbuluar një transfertë prej 1.7 milionë eurosh nga bankat shqiptare të Damir Fazlliçit drejt një banke në Zyrih, çka ka përforcuar dyshimet e tyre për pastrim parash. “Rezulton që paratë të kenë kaluar jashtë sistemit bankar dhe shumat kanë ardhur nga burime të tjera”, - u shpreh prokurori i çështjes, Besnik Cani. Prokurorët më tej demonstruan në sallën e gjyqit edhe një dokument ku pronari i kompanisë serbe të energjisë “Rudnap”, Lazareviç, figuron aksioner në kompaninë “Altaria reserach limited”, ku Damir Fazlliç është administrator i përgjithshëm. Duke i dorëzuar gjykatësit Artan Broci të gjitha veprimet e biznesmenit, Besnik Cani deklaroi se Damir Fazlliç ka transferuar nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake në një bankë në Zyrih, shumat e 1.5 milionë eurove dhe 450 mijë euro pak kohë para se të nisnin hetimet. Gjykatësi e pyeti prokurorin se a kanë gjetur fakte për të vazhduar hetimet e mëtejshme për Fazlliçin dhe përse janë sekuestruar pronat e tij. Prokurori Besnik Cani u përgjigj: “Nga transmetimet mediatike dhe nga vëzhgimet që kemi bërë ne kemi vendosur sekuestro edhe për pasuritë për t’i verifikuar, por edhe me qëllim që të mos tjetërsoheshin”.
Dëshmia
Skandali i Damir Fazlliçit ka përfshirë emra të njohur të politikës dhe të qeverisë shqiptare. Flutura Kola deklaroi në Prokurori se prokurën e shitjes së kompanisë “Croun acquisitions” te “Altaria” ia ka siguruar vetë Fazlliçi dhe kjo deklaron se vetëm ka firmosur aktin e shitblerjes. Ndërkohë, Prokuroria ka dyshime të forta se Fazlliçi ka bërë transaksione bankare. Sakaq mësohet se skandali “Fazlliç” lidhet edhe me emrin e pronarit të kompanisë serbe “Rudnap”, ku kjo kompani serbe lidhet me një shumicë tenderash të fituar këtu, ku serbët, me çmime të kripura i kanë shitur qeverisë shqiptare energji. Damir Fazlliç u lidh edhe me emrin e Lulzim Bashës, ku kunati i tij, Erjon Isufi, rezultoi administrator i të paktën tri kompanive të Damir Fazlliçit.

Kërkesa e Fazlliçit për të pushuar hetimet

Damir Fazlliç i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me tri kërkesa. Sipas avokatit të tij, Genc Gjokutaj, gjykata duhet të shfuqizojë vendimin e Prokurorisë duke hequr kështu sekuestron mbi llogaritë bankare, depozitat si dhe dokumentet mbi firmat e tij që janë vënë po në sekuestro. Sakaq, prokurori i çështjes u shpreh para gjyqtarit se institucioni i akuzës nuk ka kryer asnjë veprim antiligjor. Madje, sipas tij, hetimet po vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve për të grumbulluar prova nëse bazohen dyshimet që kanë për pastrim parash. Një seancë më parë, avokati Gjokutaj lexoi kërkesën e plotë se përse klienti i tij, Fazlliç, kërkonte kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë mbi sekuestrot. Avokati mbrojtës i Fazlliçit, Genc Gjokutaj, kërkoi shfuqizimin e vendimit ndaj klientit të tij, për shkak të problemeve të shumta juridike që janë hasur gjatë sekuestrimit të dy kompanive. Disa ditë para se Prokuroria të niste hetimet për kompanitë e biznesmenit në fjalë, Fazlliç ka ndryshuar statusin e dy kompanive të tij, nga sh.p.k në sh.a, për këtë arsye Gjykata ka vendosur të marrë në shqyrtim pretendimet e avokatit mbrojtës.
Prokuroria dyshon se biznesmeni boshnjak ka pastruar para në Shqipëri dhe për këtë prej disa javësh ka vënë në sekuestro një sërë pasurish që rezultojnë në emrin e tij. Mbrojtja ligjore e Damir Fazlliçit, biznesmenit boshnjak të akuzuar për pastrim parash në Shqipëri, e ka cilësuar si të paligjshme këtë akuzë.
Në fund të seancës gjyqtari i kërkoi përfaqësuesit të Akuzës që në seancën e ardhshme të paraqesë pretendimet me prova shkresore se përse janë vënë pasuritë e Fazlliçit në sekuestro. Damir Fazlliç është i njohur për lidhjet e shumta me kryeministrin Berisha dhe me drejtues të tjerë të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Mbrojtja ligjore e biznesmenit Fazlliç kërkon në këtë proces shfuqizimin e vendimit të Akuzës për sekuestrimin e aseteve që ai disponon në Shqipëri.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›