E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fazlliç”, prokuroria bën gati letërporosinë për në Zagreb

Hetimi është fokusuar në pistën e trukimit të tenderave të energjisë. Firma e Fazlliçit rezulton e lidhur në Zagreb dhe Qipro me firmën “Rudnap”

Habjon Hasani
Prokurorët e dosjes “Fazlliç” po përgatisin letërporosinë për ta dërguar në Zagreb të Kroacisë, ku është regjistruar dhe firma “Rudnap Energija d.o.o”, e cila është evidentuar në media si një kompani e krijuar nga firma qipriote “Altaria Research Limited”. Kjo e fundit ishte në epiqendër të skandalit dhe hetimeve për transaksionin e dyshimtë prej 1 milion e 700 mijë eurove që dyshohet se është kryer si një operacion i pastrimit të parave. Prokurorët kanë parashtruar në letërporosi sigurimin e të gjitha të dhënave të firmës. Prokuroria e Tiranës ka tërhequr pak ditë më parë të gjithë dokumentacionin që kjo firmë ka depozituar pranë Korporatës Elektroenergjetike, ku vetëm për vitin 2007 ka fituar 34 milionë euro tendera importimi energjie nga prokurimet e KESH-it. Gazeta “Albania” botoi ekskluzivisht lidhjen që firma qipriote “Altaria Research Limites” ka me degën e “Rudnap”-it në Zagreb. Firma qipriote “Altaria Research Limited” i bleu në Tiranë Damir Fazlliçit firmën “Croun Acquisitions”. Ky operacion i blerjes së firmës rezultoi i paligjshëm, ndërsa porsa Prokuroria nisi procedimin penal, Fazlliçi deklaroi se ia kishte shitur vetes. Pra dhe firma “Altaria Research Limited” ishte në pronësi të tij, sipas vetë Fazlliçit. Por sikurse tregon shpallja publike e Agjencisë së Regjistrimit të Kompanive rezulton se firma qipriote ka themeluar në Zagreb degën e “Rudnap Energija d.o.o”. Pikërisht kjo nyje e zbuluar nga “Albania” është bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë.
Prokurimet
Në raportin (për prokurimet dhe blerjet e energjisë elektrike) që kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i ka dërguar komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje, janë zbardhur të gjitha prokurimet në energji dhe firmat e huaja që na kanë importuar energji për vitin 2007. Në tabelat e prokurimit të energjisë për vitin 2007 ndihet një prezencë e theksuar e firmës serbe “Rudnap”, e cila gjatë gjithë vitit 2007 ka mundur të përfitojë dhjetëra miliona euro nga taksat e shqiptarëve për energjinë që ka importuar në vendin tonë. 33 milionë e 800 mijë euro ka përfituar firma “Rudnap” vetëm në vitin 2007, ndërsa burime zyrtare pranë KESH-it i thanë “Albania”-s se për shtatëmujorin e parë të vitit 2008 serbja “Rudnap” ka përftuar të paktën 19 milionë euro. Një total i sigurt (në dy vite 2007-2008) prej afro 53 milionë eurosh që i kanë kaluar firmës me të cilën Damir Fazlliç është i lidhur si aksioner nëpërmjet Qipros.
Lidhjet
Ndërsa Damir Fazlliç është lakuar nga mediat boshnjake si nipi i ish-kreut të shërbimit sekret jugosllav (Jovica Stanishiç) në kohën e Millosheviçit, tashmë Fazlliç rezulton i lidhur në marrëdhënie të fuqishme biznesi edhe me bosin e firmës “Rudnap”, Vojin Lazareviçin, i cili gjithashtu ka patur lidhje të forta me njerëzit e fortë të regjimit të Millosheviçit. Bosi i firmës serbe “Rudnap”, Vojin Lazareviç, në një nga intervistat e rralla të tij televizive është shprehur pa komplekse për lidhjet e tij me biznesmenë të inkriminuar të kohës së Millosheviçit. Madje, ai ka pohuar lidhjet me një nga biznesmenët më famëkëqinj, si Zhelko Raznatoviç, Arkani. “E pranoj që kam pasur biznese me të. Por nuk është se kam pasur ndonjë miqësi apo shoqëri me zotin Raznatoviç. Kemi qenë të zënë në bizneset tona dhe kemi pasur disa ortakëri. Vetëm kaq”, - është shprehur Lazareviç. Ndërsa i pyetur për angazhimin e tij në Partinë Nacionaliste të Malit të Zi (e cila njihej për mbështetjen maksimale ndaj Karaxhiçit dhe për armiqësinë me shqiptarët), Lazareviç ka pranuar se ka qenë aktiv dhe me post në këtë parti, duke “premtuar” se në kohët e sotme është më pak radikal. ”Nuk kam qenë kurrë zëvendëskryetar, por anëtar dhe financues. Më vonë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit, mora post në këtë parti. Nuk mund të them se kam ndonjë pendesë për aktivitetin tim. Po shikoni... se kohët ndryshojnë, njerëzit evoluojnë. Prandaj nuk bëhet fjalë për pendesë, por për evoluim do të thosha unë”, - ka deklaruar Lazareviç.

Si u shit fiktivisht kompania e Fazlliçit, e lidhur në Zagreb me ”Rudnap”-in

Firma ” Croun Acquisitions” është formuar më 20 shtator 2005 me vendim të Gjykatës së Tiranës. Pronar, ortak i vetëm, shtetasi boshnjak me banim në Londër, Damir Fazlliç, i biri i Sacos dhe Jovankës, lindur në Foca më 26 shtator 1975, mbajtës i pasaportës me nr. 3520256, lëshuar në vitin 2002. Ditën e regjistrimit të firmës, administrator i vetëm i kompanisë është caktuar shtetasi Erion Isufi, shtetas shqiptar, i lindur në Tiranë më 21 mars 1978, banues në rrugën "Shinasi Dishnica". Erion Isufi është kunati i ministrit shqiptar Lulzim Basha. Më 20 qershor 2007, dy javë pas shkarkimit të administratorit Erion Isufi, ortaku i vetëm i kompanisë, Damir Fazlliç, vendosi shitjen e 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Kontrata e shitjes ishte në vlerën 1 milion e 700 mijë euro. Kompania blerëse e firmës "Croun Acquisitions sh.p.k" është firma "Altaria Research Limited", me seli në adresën Irakli 2, Egkomi, p.c. 2413, Nikosia, Qipro, e cila të gjithë praktikën e blerjes ia ka besuar me prokurë të posaçme avokates shqiptare Flutura Kola (Tafaj). Zonja Kola, së bashku me juristen tjetër, znj. Argita Malltezi, punojnë në të njëjtën studio ligjore. Ndonëse u nënshkrua kontrata e shitjes, sot rezulton se kompania "Croun Acquisitions" është ende në pronësi të Damir Fazlliçit dhe nuk është paguar tatimi mbi fitimin e shitjes, që minimalisht është 170 mijë euro. Zoti Fazlliç ka deklaruar se firma blerëse qipriote "Altaria Research Limited" është e tij, por ende në Tiranë nuk është ndërruar emri i kompanisë nga "Croun Acquisitions" në "Altaria Research Limited". Firma qipriote "Altaria Research Limited" ka themeluar në nëntor 2007 në Zagreb kompaninë "Rudnap Energija d.o.o", pjesë e grupit "Rudnap". Nga të dhënat zyrtare rezulton se grupi "Rudnap" ka përfituar rreth 33 milionë euro nga taksat e shqiptarëve si pasojë e energjisë që i ka shitur KESH-it me prokurim të drejtpërdrejtë.

Njoftimi i Gjykatës Tregtare Kroate bëri lidhjen mes Fazlliçit dhe ”Rudnap”-it

TË DHËNA ZYRTARE NGA QKR, TIRANË

Firma “Altaria Research Limited”

Është firmë e përbërë nga “Avomar Limited dhe Amerito Limited”

Adresa: Nikosia, në Qipro, 2, Irakli Egkomi, 2413

TË DHËNA NGA GJYKATA TREGTARE NË ZAGREB

Njoftim i Gjykatës Tregtare në Zagreb

Sot, më 19 nëntor 2007, Gjykata Tregtare e Zagrebit regjistroi një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Regjistrimi mori numrin e NIPT-it: Tt-07/13527-2 i cilësuar në regjistrin tregtar Nr. 080632088 me këto të dhëna:

Emri i shoqërisë: “Rudnap Energija d.o.o”, me qëllim negociimin dhe shitblerjen e energjisë elektrike.

Selia: Zagreb, në Sveticën e Poshtme, 38.

Anëtarët dhe themeluesit: “Altaria Research Limited”, me numër regjistri në sistem SE 178049, në Regjistrin Tregtar të Nikosias në Qipro në adresën: Nikosia, 2 Irakli Egkomi, 2413

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›