E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vendos pagën minimale 20 mijë lekë

Qeveria vendos të rritet me 5,2% pagën minimale në vend, si në sektorin publik dhe atë privat

Të gjithë të punësuarit në shkallë vendi, vendas ose të huaj do të përfitojnë që nga 1 korriku i 2011-ës rritjen e pagës minimale në shkallë në masën 5.2 për qind, krahasuar me pagën minimale aktuale. Qeveria vendosi dje në mbledhjen e radhës që, paga minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person fizik dhe juridik, vendas ose i huaj, do të jetë 20 000 lekë në muaj. Gjithashtu, duke iu referuar vendimit në fjalë, edhe punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës do të përfitojnë nga paga orare në masën 115 lekë. Vendimi detyron që sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht në 50 për qind mbi pagën bazë. Kështu, duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkojnë mesatarisht në rreth 30 000 lekë në muaj. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Qeveria e ka rritur vazhdimisht vitet e fundit kufirin e pagës minimale për punonjësit në shkallë vendi, me qëllim derdhjen e kontributeve që çdo punëmarrës dhe punëdhënës do të depozitojnë në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore. Ky ka qenë shqetësimi i vazhdueshëm i punëdhënësve, pasi detyrimet duhet të paguhen duke marrë për bazë këtë pagë minimale të miratuar nga qeveria, ndërkohë që punonjësi mund të paguhet me një pagë disi më të vogël se kjo. Rritja e pagës minimale pritet të rrisë edhe më tej detyrimet që duhet të derdhin ata që janë me paga të larta. Sipas VKM-së së djeshme, për të përfituar një pagë të tillë prej 20 000 lekësh, çdo punonjës duhet të kryejë 174 orë punë në muaj gjatë orarit normal të punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›