E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, vizitë në Norvegji

Fill pas pjesëmarrjes në panairin e Petrelës, kreu i qeverisë, Sali Berisha, është nisur për një vizitë pune në Norvegji. Zyra e tij e informacionit në Kryeministri ka bërë të ditur dhe axhendën e tij, ku parashikohet që Berisha të takohet dhe zhvillojë bisedime me homologun e tij norvegjez Jens Stoltenberg, pas të cilës do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri do të ketë një audiencë me Lartmadhërinë e Tij Mbretërore, Princin e Kurorës Haakon Magnus. Berisha do të zhvillojë gjithashtu takime me zëvendëspresidentin e Parlamentit, Per-Kristian Foss, dhe me përfaqësues të delegacionit norvegjez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në axhendën e vizitës, krahas takimeve me autoritetet e larta norvegjeze, një vend të rëndësishëm zë dimensioni ekonomik. Për këtë qëllim, kryeministri Berisha shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit. Së bashku me ta, kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, të organizuar nga shoqatat norvegjeze që përfaqësojnë bizneset e hidro-energjetikës dhe teknologjisë së informacionit. Kryeministri do t’i drejtohet Forumit me një fjalë prezantuese të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, reformave ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare dhe veçanërisht në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria dhe klimën tepër të favorshme për investimet në vend. Kryeministri do të ftojë sipërmarrësit norvegjezë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar se çdo projekt i tyre këtu do të jetë një histori suksesi për ta. Në këtë kuadër, Kryeministri do të takohet me përfaqësues të bizneseve të mëdha norvegjeze që kanë investuar apo kanë në synimet e tyre të investojnë në Shqipëri, si Statkraft, Statoil, Hydroplan Green World, Pasco energy, Westcon Technology, Accenture, Alarga, GIEK etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›