E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: S’kam 33 milionë për Vokshin, do u kërkoj qytetarëve nga 100 lekë

“Vendimi është apeluar. Por edhe sikur të çmendet dhe Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Strasburgut, unë aq para natyrisht nuk kam si t’i kem.”

Fejzi Braushi

Deputeti socialist Saimir Tahiri nuk e pranon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila e dënoi atë me 3.3 milionë lekë të reja për shpifje ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, ndaj e ka apeluar atë në Gjykatën e Shkallës së Dytë. Pavarësisht këtij hapi juridik, Tahiri, ndërsa paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rrëzuar këtë vendim, shprehet se në rast se do të shterë çdo mundësi për të rivendosur të drejtën e tij, atëherë atij nuk do t’i mbetet rrugë tjetër veçse do t’u bëjë thirrje qytetarëve për ta ndihmuar financiarisht, pasi ai vetë nuk arrin ta përballojë gjobën e vënë nga gjykata si dëmshpërblim për deputeten Vokshi. Këtë gjë Tahiri e ka shprehur në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ku dhe ka ndarë me miqtë e tij shqetësimin për mungesën e drejtësisë në vend.

Gjoba

Komunikimi me mbështetës dhe miqtë nëpërmjet faqeve sociale në internet është kthyer tashmë në një modë për të gjithë politikanët. Ashtu si dhe kreu i PS-së, Edi Rama, apo edhe shumë figura të tjera të së majtës dhe të së djathtës, edhe Tahiri ka zgjedhur pikërisht Facebook-un për të rishprehur shqetësimin e tij, ashtu siç bëri edhe në Kuvend, për vendimin e gjykatës së Tiranës për dënimin e tij. Ai duke iu referuar pikërisht rastit të vendimit për personin e tij, ka theksuar mungesën e një standardi në vendimet e drejtësisë, ndërsa nuk ka lënë pa vlerësuar se ajo po punon nën ndikimin e politikës. “Pse i prisha humorin Albana Vokshit, u dënova me 33 milionë lekë të vjetra. Në të njëjtën ditë, ACR u dënua me 500 mijë lekë të vjetra pse vdiq një minator dhe u plagosën 8 të tjerë në galeritë e Bulqizës. Drejtësia po e bën punën siç e kërkon Partia...”, - shprehet Tahiri në faqen e tij. Më tej në komunikimin me miqtë e tij në këtë faqe Tahiri bën të ditur se vendimi është apeluar, ndërsa ka lënë të kuptohet se në rast se nuk do të gjejë drejtësi në institucionet e drejtësisë shqiptare atëhere nuk përjashton mundësinë edhe për ta ngritur çështjen në Gjykatën e Strasburgut. “Natyrisht vendimi është apeluar. Por edhe sikur të çmendet dhe Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Strasburgut, un aq para natyrisht nuk kam si t’i kem. Nuk kam vjedhur kurrë, prandaj”, - shprehet më tej Tahiri. Ndaj ai me ironi thekson se në një rast të tillë ekstrem atij nuk do t’i mbetej mundësi tjetër veçse t’u drejtohej qytetarëve për ta ndihmuar për të bërë shumën me të cilën është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. “Megjithatë, as mos u habit që po të më duhet, do i mbledh publikisht nga 100 lekë nga të gjithë ata që besojnë te të vërtetat që kam thënë unë dhe kolegët e mi për korrupsionin e familjes dhe oborrit të Saliut. Ma merr mendja do ia arrij, se jemi shumë që besojmë këto të vërteta ... shumica e shqiptarëve praktikisht”, - shprehet Tahiri.

Vendimi

Gati dy javë më parë Gjykata e Tiranës gjobiti me 3.3 milionë lekë deputetin socialist pas padisë që kishte bërë ndaj tij deputetja demokrate Albana Vokshi. Objekt i paditë së Vokshit ishin pikërisht deklaratat e bëra nga Tahiri, se bashkëjetuesi i saj Arian Tartari ishte favorizuar në tenderët e koncesioneve të hidrocentraleve. Duke hedhur poshtë këto akuza, deputetja demokrate paraqiti në Gjykatë një padi ku kërkonte dëmshpërblim për shpifje dhe cenim të figurës së saj publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›