E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: “Berisha të mos bëjë shantazh, por të sqarojë lidhjet e tij me trafiqet”



Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kërkoi nga kryeministri Berisha që përpara se t’u bëjë shantazhe deputetëve të opozitës, të sqarojë njëherë e mirë lidhjet e tij me trafiqet ndërkombëtare të armëve dhe me të arrestuarin Damir Fazlliç. Ruçi tha se Berisha ka frikë të përballet me të vërtetat, ndërkohë që shprehu vendosmërinë e Partisë Socialiste për të mos u tërhequr përballë shantazheve të përsëritura të kryeministrit. “Sali Berisha nuk doli para shqiptarëve për t’i sqaruar ata, pasi tashmë një gjë e tillë i është bërë e pamundur. Sali Berisha foli dje për të bërë shantazh të hapur publik ndaj opozitës në sallën e Kuvendit. Ne deklarojmë sot se nuk do të tërhiqemi përballë një shantazhi dhe sjelljeje të tillë të përsëritur, në kundërshtim me çdo normë minimale morali, dhe këtë e bëjmë se nuk kemi ndër mend të bëjmë pazar me këtë njeri”, - tha Ruçi. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste kërkoi nga kryeministri Berisha që të sqarojë publikisht rolin e Damir Fazlliçit në kompaninë “BG&R” dhe për marrëdhëniet e tij me Berishën dhe Partinë Demokratike. Ruçi renditi gjithashtu një sërë pyetjesh, për të cilat kërkoi shpjegime nga kryeministri Berisha. “Sa është vlera e kontratës midis ‘BG&R’ dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005? Në ç’rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri kompania ‘BG&R’? Cili ka qenë roli i Damir Fazlliçit gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol? Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliçit pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës? Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliçi në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare? Sa është vlera financiare e tyre, sa prej tyre janë pranuar nga ana e qeverisë dhe a janë zhvilluar gara për këto projekte? Kush dhe cilat kompani kanë qenë përfituese direkte të këtyre projekteve? Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tri prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet Lulzim Basha? Sa tatime i kanë paguar shtetit shqiptar në 4 vjet këto 5 kompani dhe çfarë projektesh kanë realizuar ato deri tani? Kur janë shitur dhe sa është vlera e tatimeve të paguara për shitjen, për tri nga kompanitë e mësipërme? A i njeh personalisht Sali Berisha pronarët e kompanisë ‘Rudnap’ dhe veprimtarinë e saj në Serbi? Sa tendera ka fituar kjo kompani në Shqipëri dhe me ç’vlerë? Cili është raporti i kësaj kompanie me Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes?” - tha Ruçi.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›