Mbyllet procesi i ankimeve në Kolegjin Zgjedhor, rrëzohen kërkesat për Shkodrën dhe Tiranën
Është mbyllur përfundimisht procesi i ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor. Pas Fierit, Beratit dhe Shkodrës, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesë padinë e PS për Tiranën, duke e cilësuar të pabazuar në ligj e prova. Socialistet kundërshtonin tabelat e rezultateve në KZAZ 55, 56,57, 58, 59 dhe 60 kryeqytetit duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të tyre. PS i kërkoi kolegjit që nëpërmjet vendimit të urdhërojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e dy anëtarëve të tij për rinumërim e rivlerësim në 77 qendra votimi në këto 6 KZAZ. Gjithashtu kolegji rrëzoi dhe kërkesën e LZHK për këtë qark që kundërshtonte rezultatin në disa KZAZ. Gjatë paradites Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesë padinë e tre partive PS, PD, dhe PDK për qarkun e Shkodrës. Sipas Kolegjit Zgjedhor kërkesat e tre subjekteve politike ishin të pabazuara në ligj dhe prova. PS kundërshtonte tabelat përmbledhëse të KZAZ 40, 41, 42, 43 si dhe vendimin e KQZ për tabelën përmbledhëse të rezultateve për këtë qark duke kërkuar rinumërim të të gjitha qendrave të votimit. Nëpërmjet vendimit PS-ja kërkoi që kolegji të detyrojë KQZ-në të rivlerësojë dhe rinumërojë të gjitha votat në qarkun e Shkodrës, kërkesë kjo edhe e dy anëtarëve të KQZ, Subashit dhe Lazajt. Të njëjtën kërkesë për rinumërim dhe rivlerësim të votave në Shkodër paraqiti dhe Partia Demokristiane, e cila kërkoi gjithashtu shpallje të pavlefshme të votimit në qendrat 0041, 0044, 0045, Partia Demokratike kërkoi përfshirjen në tabelën përmbledhëse të rezultateve, rezultatet për qendrat 0342, 0211. Duke hedhur poshtë kërkesën subjekteve politike për qarkun e Fierit, Beratit, Shkodrës dhe Tiranës Kolegji Zgjedhor i dha fund procesit të ankimimeve duke lënë të pa ndryshuar rezultatin e votimit dhe numrin e mandateve. Tashmë i takon KQZ-së të miratojë dhe shpërndajë zyrtarisht mandatet për qarqet e kontestuara duke i dhënë formë parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.
25 Korrik 2009