Berisha zgjidhet kryetar i Unionit të Anglofonëve
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së Unionit të Anglofonëve të Shqipërisë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Lordi Alan Uatson, kryetar i Unionit Botëror të Anglofonisë, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri, zonja Fiona Mekëllham, delegatë të anglofonive në të gjithë botën, anëtarët e Dhomës Britanike të Tregtisë, si dhe nxënës, studentë, pedagogë e prindër. Duke marrë fjalën, kryetari i Unionit të Anglofonisë Botërore, Lordi Uatson, u shpreh se ky union do të ndihmojë në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë për të përmirësuar dhe zhvilluar njohuritë e tyre në gjuhën angleze, për t’u afruar sa më shumë me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë vendet e botës. Gjatë ceremonisë Lordi Uatson i dorëzoi kryeministrit Berisha certifikatën e kryetarit të Unionit të Anglofonëve të Shqipërisë. Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti ceremoninë edhe në cilësinë e kryetarit të këtij unioni, shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në një ngjarje kulturore shumë të rëndësishme për vendin. Kryeministri tha se promovimi i gjuhës angleze është promovimi i një gjuhe globale, e cila çdo ditë e më tepër po përzgjidhet si gjuha e komunikimit ndërkombëtar. Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se afrimi natyror me gjuhën angleze vjen edhe nga fakti se gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane dhe shumë tinguj të gjuhës shqipe janë të ngjashëm me ato të gjuhës angleze.
Topalli takon kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Anglofonëve, Uatson
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje në takim kryetarin e Unionit Anglishtfolës, Lordin Alan Uatson. Lordi Uatson shprehu kënaqësinë e tij që edhe Shqipëria tashmë është zyrtarisht pjesë e kësaj organizate. Duke folur mbi zhvillimet në Shqipëri, Lordi Uatson tha se shpreson që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian, në familjen ku ka vendin e saj të natyrshëm. Ndërsa kryetarja e Kuvendit theksoi se integrimi në BE “mbetet promotor në ecjen tonë përpara dhe ne i jemi mirënjohës qeverisë britanike për të gjithë mbështetjen e dhënë”.
Kryetarja e Kuvendit dhe Lordi Uatson diskutuan mbi intensifikimin e marrëdhënieve mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Dhomës së Lordëve dhe të Komunëve në Britaninë e Madhe. Për kryetaren e Kuvendit bashkëpunimi ndërparlamentar ka një rëndësi unike, ndaj ajo shprehu interesin për rritjen e shkëmbimit e përvojës parlamentare me Britaninë e Madhe, vend me një demokraci mijëvjeçare. Gjatë bisedës u theksua se edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Unionin Anglishtfolës është një nga format e bashkëpunimit që do të konkretizohet në projekte të përbashkëta.
9 Shtator 2009