Fani Zguro çon në Kolumbi “Goca, viktima, spiunë, policë, gestapo, ushtarë, burra...”
Pasditen e dhjetë shtatorit, në galerinë “Valenzuele & Klenner” me qendër në Bogota të Kolumbisë do të çelet ekspozita personale e artistit bashkëkohor shqiptar Fani Zguro, të njohur për instalacionet dhe video-instalacionet e tij. “Goca, viktima, spiunë, policë, gestapo, ushtarë, burra”, është titulli i veçantë dhe intrigues i kësaj ekspozite që është konceptuar përmes shfaqjes së disa videove. “Fije që priten” është manipulimi i filmit shqiptar me të njëjtin titull nga regjisori Muharrem Fejzo, në përpjekje për të krijuar trailerin e filmit. Si kolonë zanore për këtë video është përdorur një nga hitet e Nick Cave and the Bad Seeds’ “The Curse of Millhaven”, marrë nga albumi Murder Ballads. Ky projekt kërkon të ironizojë fenomenin e krimit dhe revolucionit, i cili e ka zanafillën në periudhën e hershme, kur jezuitët e refuzuar konspironin kundër atyre në pushtet. Motoja ‘atje ku mbaron puna jote fillon puna ime’, duket se është në kontekst me qëllimin e kësaj videoje. Struktura e saj vijon si një trailer i mirëfilltë, duke i bashkëngjitur seleksionimit të filmit “Fije që Priten”, kolonën zanore “The Curse of Millhaven”, e cila ndonëse në periudhë dhe kohë të ndryshme nga filmi krijon më së miri komunikimin me të. Siç tregon artisti, videoja e dytë titullohet “Kalimtarë” ka të bëjë me manipulimin e filmit shqiptar “Nusja dhe Shtetrrethimi” të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Kjo video zgjat 20 sekonda dhe përsëritet në loop, duke krjuar kështu edhe performancën në video, në të cilën vihen re pesë ushtarë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët janë duke ecur në një rrugë të zbrazët, shoqëruar nga zhurma e lehtë e shiut. Ky është dhe fillimi i filmit shqiptar, i cili trajton ngjarje të kohës së Luftës II Botërore, gjatë periudhës së okupimit të Shqipërisë nga nazistët. E veçanta në video është fakti se ushtarët nuk arrijnë të përfundojnë performancën e tyre, falë ndërhyrjes në montazh dhe përsëritjes në loop. Duket sikur ata shkojnë gjithmonë deri në gjysmën e rrugës dhe nisin sërish marshimin nga e para. Ndërkaq, Fani Zguro tregon se videoja e tretë dhe e fundit e kësaj ekspozite titullohet “Ti Kthehesh”. Ajo është një lloj versioni i ri i filmit me të njëjtin titull “U Turn”, të regjisorit amerikan Oliver Stone. Në këtë përballje midis artistit dhe personazhit të vetëm në video kemi të bëjmë me një intervistë, e cila ngjason më tepër me një shkëmbim batutash. Intervista merr një karakter cinik, e cila shndërrohet në një test negativ inteligjence. “Ti Kthehesh” fillon si një regjistrim turistik, për t’u shndërruar mandej në një situatë, ku e kaluara dhe e tashmja e personazhit të videos marrin karakter grotesk.
CIKLI
“Dritë mbi kinemanë e Vendeve të Ulëta” në Akademinë “Marubi”
Nga data 18 deri më 23 shtator ’09, në mjediset e Akademisë të Filmit dhe Multimedias “Marubi”, në kryeqytet, do të shfaqet cikli “Dritë mbi kinemanë e Vendeve të Ulëta”. Kështu, spektatorët do të kenë mundësinë të njihen më gjerë me kinemanë holandeze, DETAJET, prodhimet dhe artistët kryesorë që kanë bërë historinë e saj, e pa dyshim, do të argëtohen njëherësh, duke ndjekur projeksionet e filmave që janë përzgjedhur për t’u shfaqur.
8 Shtator 2009