E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në PBDNJ, Miço akuzon Dulen për personalizim të partisë



Partia e të Drejtave të Njeriut është përfshirë në një debat të brendshëm mes drejtuesish. Nënkryetari i kësaj partie, Thoma Miço, ka dhënë një ditë më parë dorëheqjen nga posti i inspektorit shtetëror të punës, ndërsa dje ka akuzuar kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, për personalizim të kësaj partie. “Bëj të qartë dorëheqjen nga posti i kryeinspektorit për arsye se në vazhdimësi kam menduar se nuk mund të ushtroj misionin tim ligjor, pasi qëllimisht struktura politike nga ministria bëjnë përpjekje për të penguar iniciativat e mia. Dule ka kohë që ka personalizuar partinë. Partia është e barabartë me zotin Dule, që ushtron presion ndaj çdo ministri. Zoti Dule nuk e drejton partinë në bazë të statutit, por në bazë të një tryeze miqsh”, - është shprehur Miço.

Topalli vazhdon fushatën sensibilizuese, takon gratë e Fierit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vazhduar fushatën sensibilizuese për rritjen e vendimmarrjes së gruas në shoqëri, duke takuar gratë e qytetit të Fierit. Gjatë fjalës së saj Topalli ka ngritur lart vlerat e grave të këtij qyteti, duke i cilësuar ato modele të suksesit në karrierën. “Ndihem mirë kur shoh përreth gra, nëna që janë shtyllat e familjes së tyre, nëna krenare për fëmijët e tyre, gra që përpiqen me kurajë ndaj vështirësive të jetës.
Ndihem mirë për këto zonja, që kanë punuar me vullnet në profesionet e tyre, të reja me ëndrra në karrierën e tyre”, - është shprehur Topalli. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se gratë kanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndryshimin e mentalitetit të shoqërisë, dhe në fitimin e sfidave të vështira gjatë këtyre viteve. Duke shpjeguar filozofinë e ndryshimit, ecurinë e zbatimit të reformave kryetarja e Kuvendit tha se “kushdo që mund të ketë dyshimin më të vogël ndaj një realiteti të tillë, përgjigjen e gjen te firmosja e kontratës me BE-në, në pranimin e përfitimit të sfidës së mijëvjeçarit”.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›