E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:104 hidrocentrale

Fier - Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim dje në mbrëmje në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, Berisha, duke theksuar se në këto katër vite, mazhoranca ka përmbushur premtimet e saj, u ndal në prioritetet e mandatit të dytë për qarkun e Fierit dhe në mbarë Shqipërinë. “Projektin e Shqipërisë evropiane e kemi projektin tonë më të çmuar dhe me këtë projekt ne synojmë që bashkërisht të gëzojmë kushtet e jetesës dhe avantazhet e qytetarëve të BE-së. Ne ju garantojmë se vitin e parë të mandatit të dytë,ju do të lëvizni të lirë, pa viza, në mbarë Europën”-tha kryeministri i vendit.

Ai shtoi se puna dhe punësimi do të jenë kryefjala e projektit qeverisës. “Jam këtu për t’ju garantuar se katër vitet që vijnë ne do të punësojmë 160 mijë qytetarë shqiptarë. Ne jemi ata që në katër vitet që lamë pas rritëm numrin e bizneseve nga 40 mijë në 102 mijë, pra, ngritëm 62 mijë biznese të reja. Katër vitet që vijnë, dhjetëra miliard euro do investohen në Shqipëri, në Fier, në Vlorë, në Lushnje, në Tiranë, në Elbasan, në Dibër, në Kukës e kudo”-tha më tej ai.

Berisha shtoi se do të ndërtohen 104 hidrocentrale, por dhjetëra të tjerë sipas tij- nga kaskada e Vjosës tek Skavica presin të dalin në treg.

“Fieri i katër viteve që vijnë, do të jetë shumë herë më larg e më i zhvilluar, se sot. Fieri do ketë universitetin e tij. Fieri është qyteti i horizonteve të mëdha, është qyteti i industrisë së fuqishme të naftës, e cila çdo ditë po zgjerohet. Po jam këtu, gjithashtu, për t’ju dhënë ju fjalën se Gjanica do të bëhet si Valbona dhe se nuk do të lejojmë asnjë mbetje nafte të derdhet në lumin tuaj, se do rehabilitojmë fushën e të gjitha puset. Mbrojtja e mjedisit është një nga drejtimet më kryesore. Sikundër, ju garantoj se qytetin do të çlirojmë nga TEC-i dhe rrangallat e vjetra të industrisë socialiste”-vijoi kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›