Berisha,Bregu i jugut, me infrastrukturë moderne
Kryeministri Berisha inspektoi segmentin rrugor Vuno – Himarë dhe përgëzoi kompaninë ndërtuese “Gjikuria”, e cila ka përfunduar brenda një kohe të shkurtër 80% të punimeve të saj dhe një vit para afatit. Përfaqësuesit e kompanisë premtuan se do ta përfundojnë pjesën tjetër të rrugës në një kohë shumë të shpejtë
Kryeministri Sali Berisha ka vizituar dje bregdetin e jugut ku ka inspektuar disa projekte të qeverisë dhe ka siguruar shqiptarët se qeveria e tij do të modernizojë gjithë infrastrukturën përgjatë bregut të detit. Ai inspektoi punimet në segmentin rrugor Vuno - Himarë, pjesë e aksit të jugut që vazhdon deri në Sarandë. Kryeministri Berisha përgëzoi kompaninë ndërtuese “Gjikuria”, e cila ka përfunduar brenda një kohe të shkurtër 80% të punimeve të saj me një cilësi shumë të lartë dhe një vit para afatit. Përfaqësuesit e kompanisë premtuan se do ta përfundojnë pjesën tjetër të rrugës në një kohë shumë të shpejtë. “Me përfundimin e kësaj rruge ne i japim bregdetit një infrastrukturë moderne europiane në 60 km e saj. Rruga ka përfunduar në shumicën e fazave të saj edhe me asfaltim”, - u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha tha se lëvizja që qeveria bëri dy vjet më parë për rregullin që nuk lejonte kompanitë të merrnin kredi përveçse një shume të vogël, tregoi se ky ishte një vendim i drejtë. “Tashmë në pjesën më të madhe të punimeve në infrastrukturë punojnë kompani shqiptare, përveç pjesëve të vështira, dhe ato po bëjnë punime cilësore”, - tha Kryeministri. Gjithashtu, Berisha u kërkoi drejtuesve të pushtetit vendor të hartojnë projektet për zhvillimin infrastrukturor duke garantuar se qeveria është e gatshme t`i mbështesë dhe t`i financojë ato.
“Nuk kam shitur asnjë kokërr rërë”
Kryeministri gjatë vizitës në fshatrat bregdetarë të jugut, solli dje në vëmendje shitjen e rërës së plazhit të Gjipesë katër vite më parë nga pushtetarët e atëhershëm. Madje Berisha teksa iu referua këngës së njohur të kësaj treve, “Gjipesë ç’i panë sytë”, siguroi se as nuk ka shitur dhe as nuk do të shesë asnjë kokërr rërë të bregdetit shqiptar.
“Duke kaluar në këtë rrugë, më kujtohet kënga “Gjipesë ç’i panë sytë”, pasi para katër vitesh qeveritarët e shisnin rërën e Gjipesë dhe për të shuar këtë kujtesë ata thanë tani se Berisha po shet rërën. Por Sali Berisha nuk shet dhe nuk ka ndërmend të shesë asnjë kokërr rërë, duke filluar nga kepi i Stillës deri në Velipojë”, - tha z.Berisha. “Përkundrazi, - shtoi ai, - ne do të ndërtojmë të gjithë rrugën e bregut dhe do të ngremë të gjithë infrastrukturën e fshatrave të saj”. Këto komente Berisha i bëri dje gjatë përurimit të fillimit të punimeve në rrugën me gjatësi 2.2 km që lidh rrugën kryesore me manastirin e Shën Theodhorit dhe kanionin e Gjipesë. Po dje Berisha përuroi dhe 3 projekte të tjera të rëndësishme që u vijnë në ndihmë banorëve dhe turistëve që preferojnë këtë zonë. Berisha mori pjesë në fillimin e punimeve të sistemit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm në këtë fshat, një investim prej 35 milionë lekësh, i financuar nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare dhe ajo vendore. Kryeministri përuroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e unazës se re të qytetit turistik të Orikumit, një vendbanim ilir i shekullit IV p.e.s., rreth 20 km larg Vlorës dhe rreth 145 km larg Tiranës.