Topalli-Bebiç, Letër NATO-s, na pranoni në 2009-n
Dy homologët u kërkojnë parlamenteve dhe senateve të vendeve anëtare të NATO-s që të përshpejtojnë ratifikimin e protokollit për zgjerimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të bërë të mundur hyrjen e dy vendeve në NATO në pranverë të vitit që vjen
Shqipëria dhe Kroacia kanë bashkërenduar veprimet për të përshpejtuar anëtarësimin e plotë në NATO sa më shpejt të jetë e mundur. Duke qenë se ky proces tashmë është futur në ratifikimin e protokollit për zgjerimin në parlamentet dhe senatet e vendeve anëtare, përqendrimi i dy vendeve është pikërisht tek nxitja e tyre. Dy krerët e parlamenteve, ajo shqiptare, Jozefina Topalli dhe ai kroat, Luka Bebiç, kanë nisur dje një letër në drejtim të homologëve të tyre në parlamentet e 26 vendeve anëtare të cilave u kërkojnë ratifikim të këtij protokolli në një kohë rekord. Pranvera e vitit që vjen është cilësuar nga dy kryeparlamentarët si një moment i dëshirueshëm për këto dy vende për të hyrë në NATO me të drejta të plota. Duket se përpjekja e tyre nuk do të mbetet vetëm tek kjo letër, por do të ketë dhe kontakte të tjera për të nxitur këtë proces.
Letra
“Kroacia dhe Shqipëria po kthehen tek familja e kombeve së cilës i përkasin, duke ndarë të njëjtat vlera dhe interesa”, - konstatojnë që në nisje të letrës dy krerët e parlamenteve. Megjithëse dy vendet kanë kaluar tashmë portat kryesore për të hyrë në aleancë, siç është marrja e ftesës dhe nënshkrimi i protokollit të zgjerimit pas përfundimit në kohë të shpejtë të negociatave të pranimit, procesi i ratifikimit është porta e fundit për të hyrë përfundimisht në NATO. Duke i dhënë këtij procesi rëndësinë që i takon, Topalli dhe Bebiç shprehen më tej në letër se “roli i parlamenteve kombëtare në pranimin e anëtarëve të rinj të Aleancës është me të vërtetë i rëndësishëm, ashtu siç edhe duhet të jetë në një komunitet të demokracive, kur bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm”. Të dy ata u bëjnë me dije kolegëve të NATO-s se dëshira e tyre është për një përfundim të këtij procesi në pak muaj. “Është dëshira jonë për t’u bërë anëtarë të NATO-s në samitin në Strasburg dhe Kehl në pranverën e 2009-ës. Për të plotësuar këtë dëshirë, nevojitet një përfundim në kohë i procesit të ratifikimit”, - shkruajnë dy parlamentarët. Ata i sigurojnë këto vende për seriozitetin me të cilin Shqipëria dhe Kroacia po hedhin hapat për këtë anëtarësim. Topalli e Bebiç shkruajnë më tej se “kombet tona janë gati për një fillim të ri, janë gati për t’u bashkuar me Aleancën si aleatë të zotë, të besueshëm dhe të sigurt, për të mbrojtur vlerat dhe interesat e përbashkëta dhe për të kontribuar fuqishëm në sigurinë e të gjithë aleatëve dhe të mbarë botës, për çdo kërcënim që mund të hasim. Është një privilegj i veçantë për brezin tonë të kemi mundësi për të siguruar një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm. Gjatë kësaj faze të fundit të rrugëtimit drejt NATO-s dhe pas anëtarësimit në të, ne do të vazhdojmë me më tepër vendosmëri të gjitha reformat”. Në një konferencë të posaçme për shtyp, ku bëri publike letrën, kryeparlamentarja Topalli tha se “kjo letër, pjesë e diplomacisë parlamentare ardhur në vazhdën e veprimtarisë intensive dhe rolit të parlamentit për ratifikimin e MSA-së dhe për çështjen shqiptare në botë, do të pasohet më një veprimtari të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse të të gjithë deputetëve dhe komisioneve parlamentare, në kontakte dy dhe shumëpalëshe, me synim anëtarësimin sa më të afërt të Shqipërisë në NATO”.