E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, OSBE: Të hapen me konsensus

Deklarata/ Ambasadori Bosh kërkon që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht

Kërkohet më shumë kohë për t’u lënë hapësirë debateve dhe konsultimeve të gjëra në Kuvend dhe publik. Gjithashtu, Bosh tërhoqi vëmendjen te nevoja për të siguruar që çdo ligj i miratuar t'u nënshtrohet mjeteve procedurale të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit. OSBE mund të jetë negociatore mes palëve për të arritur në këtë konsensus

Në kulmin e debatit për hapjen e dosjeve, prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmes kreut të saj, Robert Bosh, kërkon që politika shqiptare t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe ligji i ri të miratohet me konsensus politik. Ndërkohë mësohet se OSBE mund të jetë negociatore mes palëve për të arritur në këtë konsensus. Në një njoftim për mediat, pak pasi opozita kishte braktisur Komisionin e Ligjeve ku po diskutohej drafti për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, OSBE-ja kërkoi që dhënia e zgjidhjes së duhur për këtë çështje ka rëndësi për vendin si një standard ndërkombëtar. Bosh shprehu shqetësimin se “çështja nuk do të zgjidhej përfundimisht pa arritjen e një konsensusi të gjerë dhe se rihapja e vazhdueshme e kësaj çështjeje do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë”. Në njoftimin për shtyp thuhet se ambasadori Robert Bosh, nxit ligjvënësit shqiptarë t'u japin kohën e mjaftueshme konsultimeve për legjislacionin lidhur me ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për vendin zgjidhja e kësaj çështjeje dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare. Ndërkohë, kërkohet më shumë konsultime me grupe interesi dhe me opinionin publik, para se të bëhet një ligj konkret. "Prezenca e OSBE-së dëshiron të përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj se i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht kur ka të ngjarë që të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të atillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultim me ekspertë, grupe të interesit dhe publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend", - deklaroi ambasadori Bosh. Ai vërejti se Shqipëria është angazhuar që t'i miratojë ligjet vetëm pasi t'u nënshtrohen procedurave publike të mjaftueshme. Gjithashtu, ai tërhoqi vëmendjen te nevoja për të siguruar që çdo ligj i miratuar t'u nënshtrohet mjeteve procedurale të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit. Kuvendi ka planifikuar të votojë projektligjin për pastërtinë e figurave publike më 21 korrik, përpara ndërprerjes së punimeve për sezonin veror. Ambasadori Bosh vërejti se prej shumë muajsh një sërë draftesh janë paraqitur në Kuvend pa i shtruar hollësitë e tyre në një debat serioz, qoftë në Parlament apo me publikun e gjerë, dhe se programi aktual i Kuvendit nuk duket se ofron kohën e nevojshme për një diskutim të tillë. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë autoritetet shqiptare në këtë çështje, në përputhje me mandatin e saj”, - shtoi ambasadori Bosh. Deri më sot, çështja e dosjeve të ish-spiunëve të shtetit është hapur dhe rihapur disa herë, por në kulmin e debatit dhe fill pasi opozita u largua nga komisioni për mungesë bashkërendimi me mazhorancën, ndërhyn OSBE-ja duke u kujtuar se mbi të gjitha, është një çështje e rëndësishme për integrimin në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›