E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti final i PD-së për dosjet, kush përjashtohet nga vendimmarrja



Risia e draftit të PD-së qëndron në faktin se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit do të vërehen me kujdes mbi aktivitetin që ata kanë kryer për këtë shërbim. Konkretisht, neni 3 nuk përcakton mënyrën se si do të trajtohen bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, por ka përcaktuar dy mënyra mbi përbërjen e Komisionit të Verifikimit të Figurave, i cili do të bëjë edhe vlerësimin e bashkëpunimit që ka kryer çdo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit

Partia Demokratike paraqiti ditën e djeshme në Komisionin parlamentar të Ligjeve një projektligj për pastërtinë e figurave të zyrtarëve shqiptarë. Drafti final i PD-së përmban detaje si nga nisma ligjore e deputetit Biberaj, ashtu edhe nga varianti i parë i PD-së. Neni 3 i këtij projektligji përcakton me detaje se cili zyrtar shqiptar do të përjashtohet nga vendimmarrja në institucione apo në politikë. Risia e draftit të PD-së qëndron në faktin se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit do të vërehen me kujdes mbi aktivitetin që ata kanë kryer për këtë shërbim. Konkretisht, neni 3 nuk përcakton këtë gjë me detaje, pra mbi mënyrën se si do të trajtohen bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, por ka përcaktuar dy mënyra mbi përbërjen e Komisionit të Verifikimit të Figurave, i cili do të bëjë edhe vlerësimin e bashkëpunimit që ka kryer çdo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Projektligji i PS-së ka përcaktuar se çdo anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv.kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike, duhet të largohet nga vendimmarrja. Njëkohësisht do të largohen nga vendimmarrja anëtarët e qeverisë, anëtarët e Këshillit Presidencial, kryetari dhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Në nismën ligjore janë në listë për t’u përjashtuar nga shteti edhe ish-zëvendësministrat e Brendshëm, oficerë madhorë apo funksionarë drejtues të organeve të Sigurimit të Shtetit, kryetarë dege, drejtorë, ministra të organeve të Punëve të Brendshme. Do të penalizohen punonjësit e Sigurimit të Shtetit të periudhës 19 nëntor 1944 deri në 11 dhjetor të vitit 1990 apo të organeve të Punëve të Brendshme, të cilët kanë rekrutuar drejtpërdrejt ose kanë drejtuar bashkëpunëtorët e organeve të Sigurimit të Shtetit. Do të përjashtohen edhe bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja apo të organeve analoge, të dënuarit me vendim të formës së prerë për krime kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rreme në procese politike speciale, anëtarët e Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, si dhe hetuesit në organet e Sigurimit të Shtetit, prokurorët, gjyqtarët apo ndihmësgjyqtarët në procese politike speciale. Projektligji parashikon dënimin edhe të ish-dëshmitarëve të rremë, si dhe do të largojë çdo pjesëtar në krimet e komunizmit, i cili sot mban post në pushtetin lokal.

Neni 3

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme me mbajtjen prej tij gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme:

1. Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;

2. Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991;

3. Zv.ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, si dhe kryetar dege; drejtor apo zv-ministër dhe ministër i organeve të Punëve të Brendshme. Punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të periudhës 19 nëntor 1944 deri në 11 dhjetor të vitit 1990 apo të organeve të Punëve të Brendshme, të cilët kanë rekrutuar drejtpërdrejt dhe/ose kanë drejtuar bashkëpunëtorët e organeve të Sigurimit të Shtetit;

4. Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja apo të organeve analoge;

5. I dënuar me vendim të formës së prerë për krime kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rreme në procese politike speciale;

6. Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;

7. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit, si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike speciale;

8. Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

9. Kandidat për deputet, kryetar bashkie, kryetar komune dhe kryetar i këshillave të qarkut. Subjektet e përcaktuara në fjalinë e parë të kësaj shkronje, i nënshtrohen verifikimit të përgjithshëm, sipas procedurës së caktuar në nenin 18 të këtij ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›