E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Taksat vendore, Rama goditje qytetarëve



Amendimet e ligjit për taksat vendore risolli dje përplasjet mes dy partive më të mëdha të opozitës. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi kryesocialistin Edi Rama se me postin e kryebashkiakut të kryeqytetit u ka dhënë një goditje qytetarëve shqiptarë. Ai sulmoi Ramën për bashkëpunimin e radhës, sipas tij, me mazhorancën, por këtë herë me një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

“Këtë herë, aleat ka pasur lidershipin e PS-së, që nga istikami i copës së pushtetit që gëzon, ka qenë bashkëpërgjegjës për realizimin e këtij projektligji, një goditje të re mbi mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, - tha Meta, duke shtuar se “qëllimi i pushtetit vendor është shërbimi më cilësor ndaj qytetarëve dhe jo boshatisja e xhepave të tyre me taksa konsumatore apo me taksa që frenojnë zhvillimin”. Më tej, kreu i LSI-së tha se taksat vendore kanë kohë që janë në një tendencë rritjeje në pushtetin vendor si taksat e pastrimit, e shërbimeve urbane, e gjelbërimit e shumë të tjera. “Por asnjë prej tyre nuk është reflektuar me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë rritje taksash për sa kohë qytetarëve nuk u ofrohen shërbimet minimale publike”, - tha Meta. Projektligji u diskutua dy ditë më parë në Kuvend dhe më pas ministri i Financave Ridvan Bode e tërhoqi atë duke e rikthyer sërish në komisione për shkak të qëndrimit kundër të opozitës, edhe pse Rama si kryebashkiak e ka miratuar atë. Ligji kaloi në qeveri disa javë më parë dhe filloi menjëherë diskutimin në Komisionin përkatës të Ekonomisë. Me mbërritjen e këtij projektligji, anëtarët socialistë e kundërshtuan, por u shokuan kur u vunë në dijeni se gjithçka ishte propozim i Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›