Berisha:Gati të votojmë heqjen e imunitetit, Rama nuk do

Qeveria është e gatshme të votojë heqjen e imuniteteve qoftë me ligjet organike siç rekomandon Komisioni i Venecias qoftë me ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet siç kërkon opozita. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë duke theksuar se është me rëndësi që zyrtarët shqiptarë, deputetë, gjykatës apo çfarë do që të jenë të mos kenë imunitet.
“Ne nuk duhet të reshtim asnjëherë për të avancuar axhendën tonë në interesin më të mirë të vendit dhe në interesin më të mirë të procesit të integrimit. Është për tu përgëzuar po në këtë kontekst hapja në bashki e sportelit “one stop shop”, i cili përbën një hap tjetër në luftën kundër korrupsionit” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë akuzoi sërish liderin e opozitës Edi Rama se po bllokon reformat në vend duke bllokuar kështu edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke iu referuar deklaratave të Ramës se Shqipëria do të dështojë për të tretën herë të marrë statusin e vendit kandidat, kryeministri Berisha theksoi se me anë të bllokimit Rama po shkurton ditët e tij në politikë.
“Rama zgjodhi momentin për tu vërsulur edhe njëherë duke përdorur traditën e tij primitive, javën që shqyrtohej ecuria e reformave për të shpallur bllokimin. Shpalli bllokimin e reformës zgjedhore në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë asnjë amendament, kur paraqiti për reformën parlamentare ato kërkesa që kishte hedhur poshtë në marrëveshjen e nëntorit, pasi vendosi dënimin kolektiv që nuk është në asnjë kod tjetër. Këto janë sinjalet, nuk janë ata që partnet tanë presin nga Shqipëria por cili është qëndrimi ynë. Ne do vazhdojmë pa ndërprerje me reformat në të gjitha fushat ku Edi Rama nuk mund të bllokojë dot. Ai nuk mund të bllokojë procesin e transparencës, mund të bllokojë heqjen e imuinitetit. Mëkatarët kanë frikë të heqin imunitetin. Vetëm ai që ka frikë ngë vetja e tij ka frikë nga heqja e imunitetit dhe këtë betejë ne do ta vazhdojmë” ka shtuar më tej Berisha.
Ai ka shtuar më tej se qeveria do të vazhdojë më tej me reformat dhe me përpjekjet për të vijuar me standartet. "Rama bllokon por këtë çështje ia lëmë shqiptarëve ta zgjidhin siç i dhanë përgjigjen në 8 maj s do t`ia japin edhe vitin e ardhshëm dhe të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga kultuara e bllokimit. Ai kujton se mund t`i thojë shqiptarëve çfarë të dojë si etërit e tij. Sjell në parlament amendamentet e turpit, të dënimit kolektiv dhe kujton se është realiteti shqiptar. Çdo ditë që kalon kohërat e tij shkurtohen në politikë dhe po përgatitet për disfatën më thellë që ka njohur njeri gjatë 20 viteve të fundit” ka shtuar më tej Berisha.