Integrimi në BE, Topalli: Askush të mos bllokojë reformat

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka kërkuar nga opozita të votojë ligjet me 3/5 për të bërë të mundur përmbushjen e reformave të kërkuara për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke folur në prezantimin e projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian në mbështetje të forcimit të Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli theksoi se bllokimi i reformave nuk do të pengojë dot procesin e integrimit.
“Janë bërë shumë reforma që nga marrëveshja e MSA, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, por tashmë, nevojitet që kërrkush të mos bllokojë, por përkundrazi. Nëse vendet e Evropës lindore kanë pasur progres ka qenë sepse asnjë forcë politikë nuk ka bllokuar votimin e ligjit me 3/5. Apeloj kolegët e mi për të bërë atë që cdo shqiptar na kërkon, për të votuar ato ligje që KE kërkon të votojmë. Shqiptarët janë të vendosur në objektivin e tyre madhor ne jemi evropian, e meritojmë të jemi në Evropë. Çdo moment bllokimi mund të vonojë, por nuk mund të pengojë integrimin” ka thënë Topalli.
Topalli e cilësoi projektin e binjakëzimit si një rast unik në Ballkan, ndërsa u shpreh se do ndjekë me seriozitet zbatimin e këtij projekti në kuadër të projektit IPA. “Unë jam e lumtur që pas vitit 2005 Kuvendi i Shqipërisë arriti të nënshkruante MSA. Ne bëmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pastaj erdhi prova tjetër ajo e vizave dhe ne e realizuam me sukses. Liberalizimi i vizave dha një dimension të jashtëzakonshëm lirie për qytetarët e izoluar për gjysmë shekulli”, tha Topalli.
Nga ana e tij Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi se shqiptarët e duan integrimin europian prandaj dhe Kuvendi të ndjekë aspiratën e popullit. “Është nder të qëndroj këtu, që për mua është zemra e demokracisë. Demokracia ngrihet si vlerë universale.BE që është misherimii demokracisë, është një dëshirë edhe e shqiptarëve. Kjo respektohet edhe në studimet që shqiptarët bëjnë në vendet e Europës dhe kthehen më pas në Shqipëri. Vit pas viti janë 99% e shqiptarëve që janë pro integrimit në BE, ndaj ky angazhim kërkon që ti jepet përparësi nga institucionet shqiptare” deklaroi Sequi.
Ai ka theksuar gjithashtu se u takon të zgjedhurve të popullit të bëjë çdo gjë që shqiptarëve tu plotësohet ëndrra e tyre, integrimi në Bashkimin Europian. “Ne vetëm mund të ndihmojmë, ne nuk mund t`ju zëvendësojmë. Sukesesi varet vetëm nga puna juaj. Thyerja e premtimeve rezulton në prishjen e besimit. Duhet rritur besimi, çdo krizë është mundësi për t`u përmirësuar” ka theksuar më tej Sequi.