Topalli: Bllokimi i reformave e vonon, por nuk e pengon integrimin
Kryeparlamentarja Topalli është shprehur sot se bllokimi i reformave të kërkuara për integrimin në BE mund ta vonojë procesin, por nuk mund ta pengojë atë. Duke folur në prezantimin e projektit të binjakëzimit të financuar nga BE në mbështetje të forcimit të Kuvendit, Topalli apeloi deputetët e opozitës për të votuar ligjet që kërkohen.
Janë bërë shumë reforma që nga marrëveshja e MSA, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, por tashmë, nevojitet që kërrkush të mos bllokojë, por përkundrazi. Nëse vendet e Evropës lindore kanë pasur progres ka qenë sepse asnjë forcë politikë nuk ka bllokuar votimin e ligjit me 3/5. Apeloj kolegët e mi për të bërë atë që çdo shqiptar na kërkon, për të votuar ato ligje që KE kërkon të votojmë. Shqiptarët janë të vendosur në objektivin e tyre madhor. Ne jemi evropian, e meritojmë të jemi në Evropë. Çdo moment bllokimi mund të vonojë, por nuk mund të pengojë integrimin, tha Topalli.
Topalli e cilësoi punën e Kuvendit pas vitit 2005 një periudhë suksesesh.
Unë jam e lumtur që pas vitit 2005 Kuvendi i Shqipërisë arriti të nënshkruante MSA. Ne bëmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pastaj erdhi prova tjetër ajo e vizave dhe ne e realizuam me sukses. Liberalizimi i vizave dha një dimension të jashtëzakonshëm lirie për qytetarët e izoluar për gjysmë shekulli, theksoi Topalli. / G. Ndoja