Harasani- Braçes: E kuptove me vonesë që bojkoti është vetëvrasje
Në mungesë të mbledhjes së forumeve drejtuese, deputetët socialistë kanë gjetur “terren” në rrjetin social “Facebook”, për të shprehur jo vetëm idetë e tyre lidhur me situatën politike, por edhe për të replikuar me njëri-tjetrin, për qëndrimet për të cilat nuk janë dakord. Dy më aktivët në këtë hapësirë vijojnë të mbeten dy nga figurat kryesore të selisë rozë, Erion Braçe, anëtar kryesie dhe Andis Harasani, sekretar për programin. Dje ka qënë radha e këtij të fundit që t’i kthejë përgjigje kolegut të vet Erion Braçe, për të gjitha ato që ai kishte shprehur dy ditë më parë po në “FB”, dhe ku duke iu referuar pikërisht deputetëve Andis Harasani dhe Kastriot Islami, të cilët prej javësh marrin pjesë në seancat plenare, duke mos nguruar t’i quajë ata renegatë të Berishës. “PS nuk mund ta lërë opozitën në gojën e renegatëve, që vetëm për opozitë nuk janë në atë Kuvend. Për biznesin e tyre politik dhe ekonomik, pa diskutim. Ndaj, ne duhet të luftojmë në Kuvend!”, - shprehej Braçe një ditë më parë, në faqen e tij në “FB”. E duke marrë shkas nga një përfundim i tillë, Harasani duke ironizuar thirrjet e Braçes për të shkuar në Parlament, kishte vendosur si status të tij në “FB” një shprehje tallëse: “o maaaa, dua të shkoj në punë.....jo mam mos shko! Vetëm renegatët shkojnë.....”. Më tej, ai në mënyrë të drejtpërdrejtë i kundërpërgjigjet kolegut të tij në parti se fjalori i përdorur në analizën e tij i përngjan atij të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe se e ka kuptuar shumë vonë që bojkoti i Parlamentit është vetëvrasje. “Sa keq për ca deputetë, që jo vetëm kuptojnë me dy vjet vonesë se bojkoti është vetëvrasje, por sepse kanë ngelur ende te fjalori i Brezhnjevit. Kanë ngelur te "Renegatët" dhe "Imperialistët"!”, - shprehej Harasani ne faqen e tij në internet. Më poshtë, duke iu përgjigjur bashkëbiseduesve në “FB”, Harasani shprehet se Braçe po të donte të shkonte në Parlament për të luftuar Berishën shkonte dhe nuk bënte deklarata në internet. “..... s’di për çfarë është dakord Erioni! Unë e kam mik dhe e njoh mirë. Është djalë i vendosur. Nëse do të shkojë, shkon. S’pyet njeri”, - shkruan Harasani. Ai nuk lë pa ironizuar edhe sloganin e përdorur shpesh gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari i Partisë Socialiste “Ëndrra vazhdon”, duke u shprehur se PS për të realizuar ëndrrën duhet të zgjohet nga gjumi. “Po, po, vazhdon! Veç s’kuptojnë që duhen zgjuar, nëse duan të realizojnë ëndrrën”, - i përgjigjet Harasani interesimit të njërit prej bashkëbiseduesve lidhur me sloganin e PS-së. Akoma më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë Harasani është me katapultimin në PS të të gjithë atyre të ardhurve nga MJAFT dhe G99. Duke debatuar me njërën prej aktivistëve të MJAFT dhe që sot është bërë pjesë e PS-së, Harasani nuk harron t’i kujtojë asaj sesi letrën qe ish-kryetari i G99, Erion Veliaj, i dërgoi ambasadave në vendin tonë për rrëmbimin e rremë të së dashurës së kryetarit të ri të bashkisë së Kavajës.