Modeli i Kosovës për Sirinë

Për muaj të tërë administrata ka shpresuar në iluzion se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta dënojë Damaskun, kur atje nuk kishte gjasë se Rusia dhe Kina do të pajtoheshin.
Administrata ishte përpjekur në mënyrë identike edhe tetorin e kaluar, por finalja ishte dështim.
Nuk ka nevojë për të llogaritur në rusët.
Koha e humbur me Rusinë do të ishte dashur të shfrytëzohet për t’i gjetur mënyrat që diktatori sirian, Bashar al-Asad, të rrëzohet.
Presidenti Obama, në ballafaqim me këtë situatë, do të ishte mirë, që ta shqyrtojë mënyrën, me të cilën Bill Klintoni u mor me krizën në Kosovë në vitin 1999.
Për dallim nga presidenti aktual amerikan, presidenti Klinton dëshironte të bënte diçka me Kosovën, kur lufta e fundit në ish-Jugollavi shpërtheu furishëm në fillim të vitit 1999.
Fuqia amerikane, duhet të përkujtohemi, ishte vënë në mbrojtje të Bosnjës, katër vjet më herët.
Tmerri i Bosnjës kishte zgjatur 30 muaj mizorik, nën presidentët Xhorxh Bush i vjetri dhe Bill Klinton.
Ishin treguar legjenda për fuqinë e serbëve, por ata u thyen relativisht me lehtësi dhe qytetarët në Bosnjë ishin shpëtuar kur presidenti Bill Klinton vendosi se nderi amerikan ishte njollosur me gjenocid në atë kënd të Evropës, dhe ai e filloi fuqinë e bombarduesve të NATO-s.
Por, njeriu i fuqishëm serb, Sllobodan Millosheviq, ende kishte autoritet. Ai ishte i vendosur që kosovarëve t’u mohojë autonominë e tyre. Ishte një verë e tmerrshme në vitin 1998, kur më tepër se 300 mijë shqiptarë të Kosovës, ishin detyruar me forcë që të largohen nga shtëpitë e tyre. “Pastrimi etnik”, ky eufemizëm i tmerrshëm, ishte përsëri gjithkund në lajme.
Për presidentin Klinton, ishte edhe një zhytje në ferrin ballkanik. Ai e autorizoi fushatën ajrore kundër Serbisë, që filloi më 23 mars, të vitit 1999, ditën e njëjtë kur shumica dypartiake në të dy dhomat e Kongresit votoi për ta mbështetur atë.
Dy ditë më vonë, presidenti Klinton iu drejtua popullit amerikan dhe foli lidhur me këtë konflikt, për ndikimin e tij për të ardhmen e Evropës dhe për linjën që duhet të përcaktohet për banditët dhe vrasësit, që e sfidojnë rregullin e kombeve.
Fushata ajrore zgjati 11 javë, përfshirë edhe më se 30 mijë fluturime, dhe e gjymtoi aftësinë e Millosheviqit për të zhvilluar luftë kundër kosovarëve.
Infrastruktura ushtarake dhe ekonomike e Serbisë ishte dëmtuar, ndërsa ishte marrë në shënjestër edhe shtëpia e Millosheviqit.
Megjithëqë cilësimi “president lufte” është mendimi i fundit që bie ndërmend kur mendojmë në Bill Klintonin, ai e mbajti kursin.
I nxitur nga kryeministri britanik, Toni Bler, presidenti Klinton, madje ishte i gatshëm të lejojë edhe përdorimin e trupave tokësore.
Kjo nuk ndodhi, Kosova e pavarur ishte ndihmuar me ushtrimin e forcës amerikane të moderuar dhe të kufizuar. Nuk e humbën asnjë ushtar amerikan në atë fushatë. Dy aeroplanë u humbën, por ekuipazhi ishte shpëtuar lehtë.
E gjithë kjo u arrit jashtë kufijve shkatërrues të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk i ishte dhënë mundësi Rusisë, megjithëqë presidenti i saj, Boris Jelcin, ishte në pozicione të mira sa i përket Uashingtonit.
Dy ditë pas përfundimit të armiqësive, ndodhi një ushtrim qesharak i forcës ruse. 50 makina me afro 200 trupa ruse u futën në Kosovë nga Bosnja dhe e okupuan aeroportin në Prishtinë.
Me një mirësjellje, ata përfundimisht u futën në forcat e NATO-s në Kosovë me mandatin e OKB-së.
Dy javë pas përfundimit të luftës, më se 700 mijë kosovarë u kthyen në shtëpitë e tyre dhe në fshatra. Presidenti Klinton do të shkruante me krenari për Kosovën në autobiografinë e tij të, vitit 2004.
“Djegia e fshatrave dhe vrasja e të pafajshmëve ishte histori. E kam ditur se ishte çështje e kohës se edhe Millosheviqi do të ishte histori, po ashtu”, shkruante Klinton.
Në këtë përvojë të hidhur siriane, presidenti Obama ka mundësi të ngjashme që ta ndalë “vrasjen e të pafajshmëve” në Homs, Hama dhe Dera. Regjimi i Damaskut po jeton me kërcënim, edhe pse ka mungesë të parave, dhe mbështetet në ushtri, që nuk ka besim në misionin e saj ose në personin, që e ka në krye. Mund të rrëzohet pa angazhim masiv amerikan.